“Rama në rreth të kuq”, Berisha alarmon: Në BE po shqyrtohet zhbërja e procesit të integrimit për Shqipërinë

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se veprimet e tij po rrezikojnë seriozisht të ardhmen europiane të Shqipërisë. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se sinjalet që vijnë nga Brukseli dhe nga disa kancelari europiane janë alarmante dhe se Rama ndodhet tashmë “në rreth të kuq”.

Sipas Berishës, kryeministri po vepron në kundërshtim flagrant me parimet e integrimit europian, duke vendosur interesat personale mbi interesin kombëtar. Ai theksoi se Rama është i gatshëm të sakrifikojë edhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, vetëm për t’u mbrojtur nga hetimet që, sipas tij, e implikojnë drejtpërdrejt në afera të rënda korruptive.

“Procesi i integrimit në BE është kërcënimi më madhor që sot rëndon mbi shqiptarët. Informacionet nga burime shumë serioze tregojnë se në Bruksel po diskutohen skenarë ekstremë, përfshirë edhe zhbërjen e plotë të procesit të integrimit për Shqipërinë, si pasojë e qëndrimeve antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se çështja e Belinda Ballukut dhe dosja e AKSHI-t janë vetëm “aparenca”, ndërsa thelbi, sipas tij, lidhet me përpjekjen e Ramës për të shmangur përgjegjësinë personale penale. Berisha theksoi se kryeministri nuk do të pranojë kurrë heqjen e imunitetit për Ballukun, pasi kjo do ta çonte edhe vetë atë në bankën e të akuzuarve.

Sipas Berishës, në dy përfaqësi të rëndësishme europiane janë depozituar dëshmi që implikojnë drejtpërdrejt Ramën dhe familjarë të tij në aferat e AKSHI-t, duke e bërë, sipas tij, të pashmangshëm përballjen me drejtësinë.

“Edi Rama e di se gjithçka ka dalë në dritë dhe se nuk ka më rrugë shpëtimi. Prandaj përpëlitet dhe kërcënon fatin europian të Shqipërisë”, u shpreh Berisha, duke bërë thirrje që shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre përballë, sipas tij, një qeverisjeje që po rrezikon interesat jetike të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related