Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të forta në seancën plenare lidhur me mungesën e kryeministrit Edi Rama në Davos, ku po firmoset marrëveshja për Bordin e Paqes.
Bardhi tha se, ndonëse Presidenti i Republikës ka autorizuar kryeministrin për të nënshkruar marrëveshjen në emër të Shqipërisë, Rama nuk e ka hedhur firmën. Sipas tij, në dokumentacionin zyrtar të paraqitur në Kuvend nuk rezulton asnjë nënshkrim i kryeministrit shqiptar, ndërkohë që marrëveshja është firmosur nga vendet themeluese në Davos, përfshirë Kosovën, e përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Ai theksoi se Rama duhej të ishte fizikisht në Davos për të nënshkruar marrëveshjen dhe më pas ajo të vinte për ratifikim në Kuvend, por sipas Bardhit, mungesa e tij nuk është rastësi. “E kuptojmë pse nuk shkoi. Nuk e pranonin”, u shpreh deputeti demokrat, duke ironizuar faktin që Kosova ishte e pranishme në një tryezë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria përfaqësohej vetëm në distancë.
Bardhi e mbylli fjalën e tij me tone të ashpra politike, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet të mbulojë dështimin diplomatik të kryeministrit, ndërsa vëmendja publike, sipas tij, po shpërqendrohet nga skandalet e brendshme që përfshijnë figura të larta të qeverisë.
