Një dokument tepër sekret që i përket vitit 1982-1983 hedh dritë mbi një nga periudhat më të errëta të historisë së diktaturës komuniste: hetimet e Sigurimit të Shtetit pas goditjes së grupit të Mehmet Shehut dhe arrestimit të Kadri Hazbiut – njeriut që për 25 vite kishte drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe aparatin famëkeq të sigurisë.
Pas arrestimit të tij dhe të figurave të tjera të larta, Enver Hoxha urdhëroi ngritjen e një strukture speciale, “Grupi Operativ Special”, i drejtuar nga zv.ministri i Brendshëm dhe shefi i Sigurimit, Zylyftar Ramizi. Ky grup kishte për detyrë të gjente “provave” kundër Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit dhe zyrtarëve të tjerë, duke rihapur dosje të vjetra dhe duke kërkuar dëshmi nga kuadro të aparatit të diktaturës.
Pjesë e kësaj fushate ishte edhe ngritja e disa grupeve ekspertësh nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe struktura të tjera, të cilat duhej të hartonin raporte që tregonin se Kadri Hazbiu kishte kryer “veprimtari armiqësore”, sidomos në fushën e fortifikimit.
Mashtrimet në raportet për Enver Hoxhën
Në qendër të raportit të ekspertëve që botohet për herë të parë, është një informacion i datës 5 janar 1982, që Kadri Hazbiu i kishte dërguar Enver Hoxhës mbi gjendjen e disa objekteve strategjike:
- Vend-Komanda e Këshillit të Mbrojtjes (sot Bunk’Art 1)
- Objekti nëntokësor i Ministrisë së Brendshme (sot Bunk’Art 2)
- Fabrika e Poliçanit
- Baza ushtarake e Palermos
Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes deklarojnë se Hazbiu kishte raportuar se objektet do të viheshin në gatishmëri gjatë vitit 1982, ndërsa në realitet sipas tyre:
- punimet nuk kishin përfunduar,
- afatet ishin tejkaluar me vite,
- gjendja teknike ishte e papërshtatshme,
- dhe udhëheqjes së Partisë i ishte dhënë një informacion i rremë.
Sipas raportit, këto “mashtrime” ishin me “qëllim armiqësor”, sepse sipas ekspertëve, synonin të dezinformonin udhëheqësin dhe të dëmtonin gatishmërinë luftarake të vendit.
Akuzat për sabotim në fortifikime
Grupet e ekspertëve, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe të Brendshme, ngritën disa akuza të tjera kundër Hazbiut:
- Ndërtimi i qendrave të zjarrit ishte favorizuar krahasuar me ndërtimin e vend-komandave dhe punimeve fushore.
- U zvarritën objektet kyçe si baza detare në Himarë, Shëngjin dhe uzina ushtarake e Poliçanit.
- Nuk u zbatua urdhri për grumbullimin e elementëve parafabrikate, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.
- Nuk u sigurua mirëmbajtja e depove të municionit dhe vendkomandave, çka sipas ekspertëve shkaktoi dëmtime dhe pakësim të gatishmërisë.
Raporti e paraqet Hazbiun si përgjegjës të drejtpërdrejtë për këto mangësi, duke i cilësuar ato si “veprime të qëllimshme”.
Pse prodhoheshin këto dokumente?
Sipas historianëve, dokumente të tilla nuk ishin analiza objektive, por pjesë e mekanizmit represiv të pastrimeve politike të vitit 1982. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe rënies së figurave të afërta me të, regjimi kërkonte:
- të fabrikonte fajësi,
- të justifikonte arrestimet,
- të ngrinte një kauzë publike kundër “grupit armiqësor”,
- dhe sidomos të konsolidonte pushtetin absolut të Enver Hoxhës në vitet e fundit të jetës.
Me anë të këtyre raporteve, çdo gabim, vonesë, mangësi teknike apo administrative shndërrohej në “komplot armiqësor”.
Bunk’Art 1 dhe 2 – nga vend-komanda sekrete në muze
Raporti i ekspertëve u referohet edhe dy prej objekteve më të fshehta të diktaturës:
- Bunk’Art 1, vend-komanda e Këshillit të Mbrojtjes, ku Enver Hoxha do të drejtonte vendin në rast lufte.
- Bunk’Art 2, vend-komanda e Ministrisë së Brendshme.
Të dy objektet janë sot muze të vizituar nga mijëra turistë, por dokumenti i botuar nga Memorie.al tregon për herë të parë sesi udhëheqja i shihte këto struktura dhe se si u përdorën ato në luftën politike brenda kupolës së pushtetit.
