Rama mbledh Asamblenë e PS/ Zgjedhjet e brendshme, diaspora dhe “lokalet” e 2027 në fokus

Data

Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare në Lalëz, ku në fokus pritet të jenë zgjedhjet e brendshme të partisë, riorganizimi i strukturave dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Mbledhja ka nisur në orën 10:00, ndërsa fjalën hapëse e mban Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, për t’ia kaluar më pas kryeministrit Edi Rama. Pas pjesës publike, diskutimet vijojnë me dyer të mbyllura.

Burime bëjnë me dije se një nga çështjet kryesore është rifreskimi i strukturave të PS në të gjithë vendin, proces që do të zhvillohet në disa faza, duke nisur nga Organizatat Socialiste, drejtuesit vendorë dhe më pas strukturat në diasporë.

Një tjetër pikë e rëndësishme është përfshirja e diasporës në strukturat e partisë, me fokus vendet ku jetojnë më shumë shqiptarë si Italia, Greqia, Gjermania, SHBA dhe Britania e Madhe. Parashikohet krijimi i asambleve dhe këshillave koordinues jashtë vendit.

Në këtë mbledhje pritet gjithashtu analizë e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare 2025, si dhe përcaktimi i strategjisë për sfidën e ardhshme elektorale në 2027.

Rama pritet t’u kërkojë drejtuesve dhe deputetëve intensifikim të punës në terren dhe forcim të lidhjes me qytetarët, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related