Rama i tregon “muskujt” Mitsotakis dhe i shkel syrin për elektoratin e majtë shqiptar në Greqi, ja pazaret me kryeministrin grek

Data

Sa herë ka dështime, skandale dhe zgjedhje, politikanët tundin kartën e nacionalizmit. E bëjnë për të fituar pushtet, por më kryesorja për të fshehur dështimet e tyre. Këtë gjë e tregon më hapur se kurrë situata me Greqinë.  Turi i takimeve që kryeministri Rama nisi dje me bashkatdhetarët nga Athina, e cila ka zënë një hapësirë të madhe në mediat greke, fsheh pazare dhe përfituesit kryesor në këtë mes janë vetë Rama dhe kryeministri grek Mitsotakis.

Ja marrëveshja e tyre e heshtur

Rama shkoi dje në Athinë me afërsisht 150 persona, ku bënin pjesë ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe gazetarë. Në stadiumin “Galatsi”, kreu i qeverisë u prit nga rreth 6 mijë shqiptarë të diasporës në Greqi. Teksa i shfaqi në një farë mënyrë “muskujt” Mitsotakis për rolin e rëndësishëm të shqiptarëve për Greqinë, Rama u kujdes edhe të forcojë pozitat e Mitsotakis duke i dhënë mbështetje hapur, duke pohuar se është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij, me të cilin ka punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. “Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë”, u shpreh Edi Rama.  Në këtë mes fitojnë të dyja palët, pasi në zgjedhjet në Greqi, elektorati i majtë shqiptar është gati të mbështesë Mitsotakis. Nga ana tjetër, kryeministri grek e mbështeti dhe i hapi rrugë këtij takimi të Ramës në Greqi që shkaktoi shumë bujë. Mitsotakis i ofroi çfarë do lloj gjëjë që kërkoi kryeministri shqiptar. Me këto lëvizje Rama po krijon terrenin për një mandat të katërt në 2025. Kjo nuk është hera e parë që Rama bën pazare me Mitsotakis. Një marrëveshje e heshtur mes tyre ishte edhe me rastin e Fredi Belerit, i cili po mbahet i burgosur nën akuzat e shitblerjes së votës për votimet e 14 majit 2023.  Rama dhe enturazhi i tij mediatik thanë se ishte Athina që bllokoi negociatat me BE. Por konkluzionet e Brukselit për Shqipërinë për lënien pa afat të hapjes së kapitulli të negociatave, Fredi Beleri as nuk përmendej si një nga kushtet që ka vendosur BE për qeverinë “Rama”. Ndërsa kryeministri thoshte se gjithë këtë goditje e kemi nga Greqia. Në këtë mes Rama dhe kryeministri grek Mitsotakis vazhdojnë aktrimin së bashku në një skenografi të re. Të dy po përdorin kartën nacionaliste për përfitimet e tyre personale.

Mesazhet e Ramës

Në këtë situatë Rama përmendi dje të gjitha arritjet e shqiptarëve që po krijohen dhe po forcohen falë qeverisë së Mitsotakis. Nga Greqia, Rama zbuloi se kanë nisur edhe negociatat për procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim, dialog për të cilin thotë se ka bërë progres. “Po ashtu, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejes së qëndrimit dhe procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Ka goxha progres dhe jam besimplotë që shumë shpejt ju do merrni lajme shumë të mira”, tha kryeministri në Athinë. Bashkëpunimi në tregun energjetik është një tjetër synim i përbashkët mes dy vendeve, kur kryeministri shqiptar u shpreh se punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV  Fier – Arachtos. “Një tjetër synim i përbashkët strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive tona është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve ekonomike të dy shteteve tona për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë. Sot punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV  Fier – Arachtos  një projekt me rendësi strategjike për të dyja shtetet i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë për përmbushjen e kushteve të integrimit në tregun europian të energjisë duke krijuar siguri që çmimet do të jenë më konkurruese, por dhe duke zgjeruar kapacitetet eksportuese të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme në të dyja vendet”, vijoi Rama. Pritet edhe krijimi i Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë. “Falë angazhimit të vetë operatorëve ekonomikë këtej dhe andej kufirit, jemi në hapat e fundit të  krijimit të Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë”, tha kreu i qeverisë shqiptare. Raportet mes dy vendeve do shtrihen edhe në fushën kulturore. Rama tha se pritet miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën tha se qeveria shqiptare ka lëvruar edhe fondin.  “Falë nxitjes së njerëzve të ndriçuar të këtij komuniteti në Greqi, janë bërë të gjitha gati dhe pritet vetëm miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën qeveria jonë ka lëvruar edhe fondet përkatëse. Falë kërkesës në rritje të jetës reale të popujve që jetojnë jashtë gotës së furtunave politiko-mediatike, numri i udhëtarëve që lëvizin drejt të dyja vendeve është dhjetëfishuar”, vijoi Rama.

Premtimi

Kryeministri u ndal edhe në lumin ‘Vjosa’, i cili është shpallur Park Kombëtar. Rama shtoi se pas propozimit të Shqipërisë, po punohet me Greqinë për të krijuar parkun e parë ndërkufitar të lumit “Vjosa” që përshkon të dy vendet. “Një tjetër faqe e bukur bashkëpunimi dhe afrimi, e kemi hapur me propozimin tonë dhe dakordësinë me thënë të drejtën të menjëhershme të qeverisë greke për ta integruar duke bërë një integrim ndërkufitar, parkun kombëtar të Vjosë, i cili në vitet e ardhshme do të jetë një motor gjithnjë dhe më i fuqishëm i industrisë sonë të re të turizmit por duke u kthyer në një park europian të integruar ku s’ka kufi, por triumfon natyra që na bashkon qysh se kemi ardhur në këtë botë, do të jetë një shembull magnetik qoftë për çfarë mund të bëjmë së bashku, Shqipëria dhe Greqia me njëra tjetrën, për njëra tjetrën dhe për Europën tonë, qoftë për turistët dhe vizitorët nga e gjithë bota”, u shpreh kryeministri.

Pusulla

Në përfundim të fjalimit të tij, Rama i drejtoi një mesazh Mitsotakis, duke i kushtuar vargjet e Naim Frashërit, i cili shprehej se është koha e mirëqënies dhe e lirisë. Rama i bëri të fala nga ana e tij dhe shqiptarët e Greqisë, duke u shprehur: “Rroftë Shqipëria! Zito I Eladha! Rroftë Evropa demokratike!”. “Përpara se të largohem dhe në pamundësi për ta takuar. Dëshiroj ti lë një pusullë mikut tim, të zgjedhur nga populli i këtij vendi, kryeministrit Mitsotakis. I dashur Kyriakos, në vitin 1886 poeti ynë Naim Frashri shkruaji në greqisht vjershën e tij, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. “Duam më të gjithë fqinjët, sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, në vëllazërim. Me rend dhe paqe të jetojmë. Le të mos bëhemi armiq dhe të mos zihem, mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar. Është koha e mirëqenies, është koha e lirisë! Shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë. Rroftë Shqipëria! Zito I Eladha! Rroftë Evropa demokratike!”, tha Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related