Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me integritetin e prokurimeve publike në Shqipëri dhe projektin për monitorimin e tyre përmes Inteligjencës Artificiale.
Në një postim në rrjetin social X, Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se integriteti i prokurimeve publike ka pësuar rënie, duke ironizuar Berishën dhe kritikët e tij.
“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë”, shkroi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria është përfshirë për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian dhe rezultatet kanë qenë pozitive.
“Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se shumë prej tyre”, deklaroi ai.
Rama theksoi se vendi ka bërë progres të rëndësishëm në këtë sektor dhe paralajmëroi përdorimin e Inteligjencës Artificiale për të rritur më tej transparencën dhe efikasitetin.
“Sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë edhe në fushën e prokurimeve”, u shpreh kryeministri.
Ai u ndal edhe te projekti “Diella”, sistemi i Inteligjencës Artificiale që sipas tij do të përdoret në prokurimet publike.
“Me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, përfundoi Rama.
