A po vepron kryeministri Edi Rama me ish-ministren Olta Xhaçka njësoj siç veproi me Arben Ahmetajn? Kjo është pyetja që ngrihet menjëherë pas lajmit të djeshëm, ku kreu i qeverisë e hoqi Xhaçkën edhe nga posti i fundit që mbante në Kryesinë e PS. Rama tashmë e ka lënë Xhaçkën, njësoj si Ahmetajn vetëm një deputet i thjesht dhe historia e tij sot dihet, ndodhet në arrati pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK dhe shumë shpejt mund të shohë dhe qelinë e burgut pas nisjes së procedurave për ekstradimin e tij. Dosja e aferave të Xhaçkës me pronat në ushtri është drejt mbylljes dhe Edi Rama pak a shumë e ka përcaktuar “fatin e zi” të saj. Përveç kësaj, ajo që bën më shumë bujë është lëvizja e fortë e kryesocialistit në qarkun e Tiranës, ku Erion Veliaj, i cili ka drejtuar fushatën e PS në dy zgjedhjet e fundit, i është hequr kontrolli, teksa në zgjedhjet e 2025, duhet ta ndajë punën në fushatë me Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manstirliun Në fjalën e tij të gjatë, Rama përveç Veliajt, spostoi me një fjali jo vetëm nga qeveria, por edhe nga organizimi i zgjedhjeve të ardhshme, Taulant Ballën. Njeriu i dytë më i votuar pas tij në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ish-ministër i Brendshëm, Taulant Balla u propozua nga Rama vetëm si sekretar për Diasporën. Pra Balla këto zgjedhje do të ketë një rol dytësor. Nga ana tjetër bie në sy futja e Arbjan Maznikut si drejtues politik në qarkun e Elbasanit, si dhe e Blendi Gonxhes në Dibër. Rama ka vendosur që t’i fuqizojë, veçanërisht Gonxhen, të cilin vazhdon e promovon duke i lënë këtë herë Dibrën, qarkun që pati në zgjedhjet e kaluara besnikja e tij Belinda Balluku.
Ditmir Bushati
Por përveç surprizave te drejtuesit e qarqeve, nuk ishte vetëm emri i Olta Xhaçkës që shkaktoi befasi. Kryeministri ka lënë jashtë kryesisë aktuale edhe Ditmir Bushatin. Thuhet se spastrimi që Rama i bëri Bushatit duke e larguar komplet nga çdo post i PS vjen në një moment “kritik” me marrëdhënien me Turqinë, pasi presidenti turk Erdogan edhe në telefonatën e fundit i dha një ultimatum të prerë Ramës, duke i kërkuar që të likuidojë gylenistët. Ditmir Bushati, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm kundërshtoi fort presionin e Turqisë, duke thënë se Shqipëria është në marrëveshje kontraktuale me NATO-në e Bashkimin Evropian, dhe se çdo ekstradim i mundshëm duhet të bëhet në pajtim me rrugët diplomatike dhe dokumentet që ka nënshkruar, por në asnjë mënyrë përmes konferencave për shtyp. Arsyeja e shkarkimit të tij në 2019, u përfol se ishte kërkesë e Turqisë.
Ndryshimet
Asambleja votoi dje për kryesinë e re që do përbëhet nga 10 emra. Për votim kryeministri propozoi 14 emra. Ndërsa la jashtë siç e theksuam më lart Xhaçkën, Mimi Kodhelin, Blerina Gjylametin, Ditmir Bushatin, Ilir Beqajn dhe Armando Subashin. Pas votimit të Asamblesë Kombëtare, anëtarë të rinj të kryesisë së PS-së janë, Arben Pëllumbi; Erjon Braçe; Eduard Shalsi; Igli Hasani; Toni Gogu, i cili është zgjedhur për herë të parë në kryesinë e PS-së. Nga skuadra e grave, janë zgjedhur anëtare kryesie; Albana Koçiu; Anila Denaj; Etilda Gjonaj; Klodiana Spahiu dhe Lindita Nikolla. Ndryshime pati edhe në sekretariatin ekzekutiv të PS-së. Damian Gjiknuri mori postin e sekretarit Organizativ për zgjedhjet duke u larguar Ardjan Çela dhe Eridjan Salianji. Blendi Klosi do të vijojë të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së. Evis Kushi do të vijojë të jetë sekretare e Gruas; Romina Kuko – Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë, e Milva Konomi – sekretare e Programit. Do të shkrihen dy poste: Sekretariati i Burimeve Njerëzore, Eduard Ndreca dhe Sekretariati Dixhital dhe i Rinisë, Etien Xhafa. Ndërsa do të caktohet sekretare për Diasporën Zerina Bruci; sekretar për Rininë Roi Basha
