Rama: Do të shpallim Iranin shtet sponsor të terrorizmit, rezoluta në Kuvend javën e ardhshme

Data

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se Shqipëria do të ndërmarrë një hap të fortë politik ndaj Iranit, duke propozuar shpalljen e tij si shtet sponsor të terrorizmit.

Gjatë një konference për shtyp, Rama deklaroi se javën e ardhshme në Kuvend do të paraqitet një rezolutë për të shpallur Gardën Revolucionare të Iranit dhe organizatën Hezbollah në Liban si organizata terroriste, në përputhje me qëndrimet e disa partnerëve ndërkombëtarë.

Kreu i qeverisë iu referua Iranit si “Republika khomeiniste”, duke theksuar se sipas tij regjimi në Teheran nuk përfaqëson vlerat e Islamit.

“Të gjithë ata që kanë menduar se do të nënshtrojnë Republikën e Shqipërisë, qofshin forca të brendshme apo të jashtme, do të mbeten me gishtin në gojë. Javën që vjen parlamenti do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur republikën khomeiniste të Iranit shtet sponsor të terrorizmit dhe bashkë me këtë Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun si organizata terroriste,” tha Rama.

Ai shtoi se Shqipëria nuk do të jetë e para që ndërmerr një hap të tillë, pasi sipas tij disa vende partnere e kanë bërë më herët.

Gjatë konferencës, Rama u ndal edhe te pasojat ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht te rritja e çmimeve të karburantit.

Sipas tij, qeveria po përgatit masa për të ndërhyrë në tregun e naftës, duke përfshirë krijimin e rezervave strategjike dhe përdorimin e garancisë së shtetit për të stabilizuar çmimet dhe për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related