Pavarësisht qëndrimeve të prera të amerikanëve për të mos futur duart tek reforma në drejtësi, kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duken të vendosur për të çuar përpara planin e tyre ogurzi. Të enjten, pra nesër orën 10:00 në sallën e Komisionit parlamentar të Ligjeve do të konstituohet grupi i dialogut për ligjet me 3/5 dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në Bashkimin Evropian. Por pavarësisht se Partia Socialiste dhe Rithemelimi e mohojnë, dyshohet se Rama-Berisha do të ngrenë komision për të shkatërruar SPAK, Reformën në Drejtësi dhe bllokuar arrestimet “VIP”, ku vetë ata janë të rrezikuar. Ka një term që quhet dark chess dhe që nënkupton një lojë, në të cilën, lojtarët kanë informacion vetëm për pozicionimin e disa prej ushtarëve, apo gurëve të tjerë të lojës në tabelë dhe janë në errësirë të pozicionimit të pjesës tjetër. Dhe kjo është ajo çfarë duket se po u luhet shqiptarëve nga të dy palët politike kryesore të vendit, grupi i Edi Ramës dhe socialistëve dhe grupi i Sali Berishës dhe “Rithemelimit”. duke parë historinë, gjëja kryesore që mund të thuhet është se nën emra të ndryshëm, marrëveshje të tilla mes dy palëve politike dominuese në Shqipëri janë bërë shpesh pa transparencë dhe në kurriz të qytetarëve. Kësaj here, shenjat për gadishmëri për mirëkuptim u shfaqën në të ashtuquajturin ligj për amnistinë, i cili, përfshiu, në instancë të fundit edhe faljen e 1 deri në 1.5 vjet burg të të dënuarve nga GJKKO. Partia e Rithemelimit, e cila deri në atë pikë ishte, në mënyrë figurative, duke i vënë flakën Parlamentit në emër të “mosbindjes civile” u shfaq e gatshme të votonte për t’u tërhequr në çastin e fundit. Ndërsa është afër mendësh dhe gjerësisht e diskutuar gjatë javëve të fundit se aktualisht, hetimet e SPAK kanë krijuar një situatë ku të dyja palët, PS dhe PD Rithemelimi, mund të jenë të gatshme të votojnë dobësimin e reformës në drejtësi për të mbrojtur vetveten nga rreziku i burgut. Instrumentet më të afërta të një kompromisi të tillë pro-korrupsion dhe anti-SPAK janë: diskutimet për një “reformë teknike” dhe një projekt për Kod të ri Penal, i cili, nëse miratohet siç është në gjendjen aktuale, vret aftësinë e prokurorëve për të dënuar dy vepra penale kyçe: abuzimin me detyrën dhe shkeljen e barazisë në tenderë. Kështu që të jemi të qartë deri në fund, duket të theksojmë se puna e SPAK dhe e GJKKO-së deri më tani, ndonëse përbën një ndryshim themelor përkundrejt të shkuarës, është ende as në fillesat e fillesave për të kryer një luftë efikase dhe, mbi të gjitha, në qëndrueshmërinë kohore dhe ashpërsinë e nevojshme për të shkurajuar zyrtarët që të korruptohen dhe për të frymëzuar besim te qytetarët se sistemi kushtetues i kontrollit të ekzekutivit dhe ligjvënësit nga drejtësia është në fuqi dhe funksional. Fakti është që hetimet e SPAK dhe dënimet e GJKKO-së duken tmerrësisht të pamjaftueshme për të realizuar objektivin thelbësor të reformës në drejtësi, i cili është “rikthimi i besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë”. Dhe nëse shikohen arritjet e deritanishme, nuk është e mundur të mos e vëresh se nga të tetëmbëdhjetë prokurorët ekzistues, janë dy apo tre ata që kanë urdhëruar hetime serioze për zbulimin dhe dokumentimin e korrupsionit serioz. Nga ana tjetër, fakti që korrupsioni ka qenë prej kaq shumë kohësh i pahetuar seriozisht duket se e ka lënë klasën politike kaq të çlirët dhe kaq të shkujdesur në korrupsionin e vet, sa edhe një institucion jo shumë i fortë apo një prokuror jo me shumë vullnet, ta ketë të vështirë të mbyllë sytë përballë fakteve flagrante. Në këtë kontekst, duket se palët historike (Berisha-Rama) kanë një shqetësim të përbashkët. Një prokurori speciale jo tërësisht nën kontrollin e tyre, gjë që, shoqëruar me disa shenja publike të dhëna deri tani, japin sinjalin se kompromisi politik, jo vetëm që mund të parashikojë komisione hetimore apo seanca normale parlamentare, por edhe një goditje të përqendruar kundër reformës në drejtësi. Megjithatë përpara këtyre skenarëve, qytetarët bëjnë mirë të mbajnë sytë hapur për të parë se çfarë do të prodhojë marrëveshja e radhës mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit (Rama-Berisha).
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë mësohet se mekanizmi i dialogut do të ketë 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca. Gazmend Bardhi ka njoftuar më herët publikisht se njëri anëtar do të jetë nga Rithemelimi, Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë, ndërsa anëtari iu propozua një deputeti nga grupi Basha, por ftesa u refuzua publikisht nga kryetari i PD-së së vulës. Në këto kushte, Rithemelimi do çojë të anëtare zëvendësuese, Dhurata Çupin. Nga mazhoranca anëtar janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu. Ngritja e këtij mekanizmi dialogu u bë pas në dakordësi me mazhorancën dhe Rithemelimin pas rikthimit të tyre në veprimtarinë normale të Kuvendit. Ky grup pritet të marrë vendime me konsensus për ligjet që duan 84 vota, përfshirë reformën zgjedhore, për të shkuar drejt votimit në parlament, me dakordësinë e palëve.
Reagimet
Nga ana tjetër, ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, serinë e takimeve në Tiranë pak ditë më parë e nisi në një takim në godinën e qelqtë të SPAK me kreun e prokurorisë së posaçme, Altin Dumani. Ambasada amerikane thotë se Sekretari Todd Robinson mori pjesë në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri. Sekretari Robinson theksin e vendosi tek transparenca , si dhe dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë. “Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni”, theksoi ai. Në sfidën mirëfunksionimit të shtetit ligjor ku SHBA dhe BE janë insistuar maksimalisht, drejtuese të organeve të drejtësisë së re, sekretari Robinson u garantoi vijimin e përkrahjes në këtë mision. “Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor… por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju…dhe unë mund t’jua premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë”, nënvizoi ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.
