Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ndaj akuzave të PD-së, lidhur me tenderin e zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për blerjen e ushqimeve për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në sistemin e burgjeve.
Në reagimin e tij, Gonxhja duke ironizuar shkruan “opozitë me menu fikse – një javë lakra, java tjetër tarator… këtë javë ca portale ngritën topin, që e zhyti PD në fundjavën fletërrufe!”.
“Fushata afron e racioni i baltës shpeshtohet, por edhe pse një opozitë jo objektive dëmton vetëm vetveten, duke mbetur gropë nga mentaliteti i anatemimit me të dëgjueme e copy-paste, apo duke humbur besueshmëri sepse as pyet, as informohet zyrtarisht, as analizon e as përpiqet të ndajë shapin nga sheqeri, me korin “nxi se dicka ngjit”, pa bërë kurrë dallimin mes fakteve dhe llafeve, mes ligjit dhe dellit – po publikoj grafikat e krenarisë së OBP!”, shkruan Gonxhe.
Sipas tij, Operatori i Blerjeve të Përqendruara në më pak se 8 muaj nga themelimi si sh.a. ka bërë revolucion në shërbimin e prokurimit publik, me përgëzime nga homologët evropianë, UNOPS, duke u kthyer në shembull kthese në sektorin më problematik e vulnerabël, duke rritur transparencën, kursimin e fondeve publike, konkurrencën, risitë, dinjitetin e administratës shqiptare dhe leverdisshmërinë për AK – klientët, duke fuqizuar tregun e lirë shqiptar, duke shpejtuar procedurat, duke eliminuar vonesat, hilet dhe subjektivitetin, duke garantuar cilësinë dhe standardet e mallrave dhe shërbimeve të kontraktuara, çka vërtetohet nga pasqyrat statistikore!
