Vrasja e rëndë e 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Prelleshaj, ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë reagime të ashpra qytetare. Këtë të enjte, qindra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë organizuar një marshim-protestë për të kërkuar masa konkrete për sigurinë në shkolla dhe për të ndaluar ngjarje të tilla tragjike.
Në vijim të protestës, SOT News ka zbardhur një dokument të përgatitur nga prindërit dhe shoqëria civile, drejtuar ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Dokumenti shpreh shqetësimin e thellë për incidentet e rënda në shkolla, duke kërkuar ndërhyrje emergjente dhe të koordinuar.
Në letër parashtrohen disa kërkesa kyçe:
1. Shpallja e emergjencës kombëtare për trajtimin e problematikave në shkolla, me një plan konkret dhe buxhet të dedikuar.
2. Rritja e buxhetit për arsimin, nga 600 milionë lekë në 850 milionë lekë deri në vitin 2025.
3. Plotësimi i shkollave me psikologë, me të paktën 1 psikolog për shkollë ose 1 për 350 nxënës.
4. Zgjatja e qëndrimit të nxënësve në shkolla deri në orën 16:00, duke ofruar program mësimor dhe ushqim.
5. Heqja e telefonave gjatë mësimit, me zbatim të rreptë të rregullave përkatëse.
6. Monitorimi i përmbajtjeve dixhitale dhe audiovizive, për të bllokuar materialet që promovojnë dhunën dhe urrejtjen.
7. Emërimi i Oficerëve të Sigurisë në çdo shkollë, me rishikim të rolit dhe detyrave të tyre.
8. Krijimi i një sistemi raportimi efektiv, që lidh prindërit dhe institucionet përgjegjëse.
Prindërit e pranishëm në protestë, theksuan se kjo situatë kërkon një ndërhyrje të menjëhershme dhe serioze nga institucionet shtetërore.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe hapat që do të ndërmerren në lidhje me këto kërkesa.
Ngjarja tragjike ka nxitur reflektim të gjerë mbi sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në shkolla, duke vënë në qendër të vëmendjes problematikat e sistemit arsimor në Shqipëri.
