Qeveria e re gjermane, Serbia “fërkon duart”, pse Berlini pritet të jetë më “i butë” me Vuçiçin

Data

Zoran Milivojeviç, diplomat, nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni më të gjerë se ky të jetë në pushtet. Ai rikujton se CDU dhe CSU i përkasin grupit të Partive Popullore Evropiane, pjesë e të cilit është edhe SNS. Siç thotë ai, politika gjermane do të bazohet në tre parime, ekonomia dhe politika e imigracionit, çështja e funksionimit të BE-së si dhe marrëdhëniet transatlantike në dritën e ardhjes së Donald Trump në krye të Amerikës. Duke e pasur këtë parasysh, Gjermania nuk do të jetë aq e shqetësuar për Serbinë dhe çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor, beson bashkëbiseduesi i medias serbe “Blic”. “Gjermania me shumë gjasa do të mbajë qëndrimin e saj të ashpër ndaj Kosovës dhe planit franko-gjerman, por presioni ndaj vendit tonë për të njohur pavarësinë e Kosovës nuk do të jetë më i fortë se sa ka qenë deri më tani. Po ashtu, presioni ndaj Serbisë në lidhje me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë tani do të relativizohet në kontekstin e fillimit të negociatave ndërmjet Amerikës dhe Rusisë”, thotë Milivojeviç.

Integrimi në BE

E gjithë kjo tregon se Serbia do të ketë më shumë hapësirë për manovrim se më parë. “BE-ja duhet fillimisht të përkufizohet në lidhje me marrëdhëniet transatlantike dhe më pas të zgjidhë problemet e funksionimit të saj. Gjermania mbron gjithashtu që metoda e votimit brenda BE-së të bëhet e bazuar në shumicën në mënyrë që të përjashtohet mundësia e një vetoje që një vend i BE-së mund të ushtrojë në rrugën evropiane të një vendi kandidat. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rruga jonë drejt BE-së do të përshpejtohet, pasi zgjerimi i BE-së do të varet nga reformat”, vlerëson Milivojeviç. Ai shton se gjëja më e rëndësishme për vendin tani është nëse gjashtë miliardë eurot që Brukseli ka ndarë për rritjen e Ballkanit Perëndimor do të vijnë nga BE-ja.

Plani franko-gjerman

Kur është fjala për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Zoran Jeremiç, ish-ambasador i RFJ-së në Gjermani, beson se qeveria e re gjermane “do të përpiqet të qëndrojë brenda kornizës së Bashkimit Evropian, por me dëshirën e shprehur gjithmonë që zëri i Gjermanisë të dëgjohet pak më shumë përmes ndikimit të saj në autoritetet në Prishtinë dhe në marrëveshje”. “Nëse ka interes, do të bëjnë presion edhe mbi Prishtinën që ta zbatojë atë që është marrë vesh, sepse tash baza e dialogut është bërë plani franko-gjerman, sido që të jetë dhe na pëlqen apo nuk na pëlqen . Edhe Gjermania do të insistojë në dispozitat e saj si parazgjedhje, por do të theksohet edhe këmbëngulja për Bashkësinë e Komunave Serbe, sepse edhe ata e kuptojnë se është krijuar një vakum që ka çuar në ngecje në zbatimin apo zhvillimin e dialogut, në të cilin të gjitha palët prisnin të shihnin se çfarë do të bënte Amerika, dhe tani kartat janë shpërndarë”, tha Jeremiç.

Stabiliteti në Ballkan

Petar Çurçiç, studiues në Institutin për Studime Evropiane, gjithashtu ndan mendimin se edhe me qeverinë e re, Gjermania do të “mbetet tradicionalisht e interesuar për të gjithë Evropën Juglindore, duke përfshirë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës”. Siç thotë ai, Gjermania “me siguri nuk dëshiron që ky rajon të jetë i përfshirë nga konflikti dhe problematik, sepse ndodhet në afërsi të Bashkimit Evropian”. “Kështu që unë mendoj se synimi kryesor i Gjermanisë do të jetë dhe do të mbetet të mbajë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një pozicion sa më të qëndrueshëm në raport me pjesën tjetër të botës, gjë që është shumë komplekse ”, përfundon ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related