Olaf Scholz është një njeri i qetë, të cilin është e vështirë ta nevrikosësh. A mundet ai të dalë jashtë kontrollit, të ngrejë zërin apo të jetë emocional? Ndodh shumë rrallë, që kancelari socialdemokrat të devijojë nga linja e tij e qetë, profesionale dhe e arsyeshme. Krejt ndryshe ishte prezantimi i tij në Bundestag (11.09.2024) gjatë të ashtuquaturit debati i përgjithshëm. Ky debat zhvillohet gjithmonë javën e diskutimit të buxhetit, kur parlamenti mblidhet të konsultohet për buxhetin e vitit pasues. Qeveria dhe opozita e shfrytëzojnë këtë seancë për debate të përgjithshme edhe lidhur me punën e qeverisë.
Sulme të ashpra verbale
Bilanci nga këndvështrimi i opozitës, sikurse edhe pritej, ishte mizerabël. “Eshtë Gjermania sot më e sigurtë se më 2021? Jo. Eshtë Gjermania sot më e aftë për konkurrencën se më 2021? Jo. Eshtë Gjermania sot politikishht më e qëndrueshme se më 2021? Jo”. Kështu e hapi debatin Alexander Dobrindt, kryetari i grupit parlamentar të konservatorëve bavarezë të partisë kristiansociale (CSU). “Koalicioni nuk është koalicion i përparimit, por i rrënimit të këtij vendi.”
Tema qendrore e debatit ishte politika për azilin dhe refugjatët. Pas dështimit të bisedimeve për migracionin ndërmjet qeverisë dhe kristiandemokratëve/kristiansocialëve (CDU dhe CSU) në opozitë, kancelari dhe kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, shkëmbyen replika të forta duke sulmuar ashpër verbalisht njeri-tjetrin. Ata i ngarkojnë reciprokisht njeri-tjetrit përgjegjësinë për dështimin e përpjekjeve për gjetjen bashkarisht të një zgjidhjeje ndaj problemit të migracionit të parregullt.
Planet për politikën e azilit janë të pamjaftueshme sipas CDU-së
Pas atentatit me thikë në Solingen në mes të gushtit, qeveria paraqiti propozimet për ashpërsimin e ligjeve të migracionit dhe të sigurisë. Në thelb synohet, që qysh në kufi të kryhen procese të përshpejtuara për aplikimet për azil. Refugjatët, të cilëve u refuzohet kërkesa duhet të mbahen në afërsi të kufirit derisa të shqyrtohet aplikimi i tyre për azil. Këto plane janë “tepër larg asaj që është e domosdoshme” kritikoi Merz në Bundestag. CDU/CSU do që të kthehen qysh në kufi refugjatët, sepse Gjermania ndërkohë është e mbingarkuar me pranimin dhe integrimin e tyre. Njerëzit duhet të paraqesin kërkesën për azil, sipas rregullores së Dublinit, në vendin ku kanë shkelur për herë të parë kufirin e BE-së.
