Një pushues ka denoncuar publikisht në JOQ një incident shqetësues që ka ndodhur në resortin Green Coast, ku ai pretendon se i është grabitur vila e marrë me qira, ndërkohë që asnjë institucion apo shërbim sigurie nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Sipas tij, ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, kur ai doli nga vila ku ishte akomoduar me familjen, e cila po flinte, për të vizituar një mik në një tjetër vilë brenda resortit. Kur u kthye pas orës 1:15 të mëngjesit, konstatoi se dera me shinë ishte e hapur, perdet ishin shkulur dhe ambienti ishte i çrregulluar.
Fillimisht mendoi se mund ta kishin bërë fëmijët rrëmujën, por mëngjesin tjetër, kushërira e tij konstatoi humbjen e një byzylyku tennis me vlerë 5 mijë euro si dhe 8 mijë euro cash. Menjëherë ai thirri shërbimin e sigurisë së resortit Global Security të deputetit të PS Agron Malaj, njoftoi edhe policinë.
“Erdhi policia, bëri procedurat normale, por sigurimi më tha: ‘Ne nuk mbajmë përgjegjësi për vilat, vetëm për hapësirat e përbashkëta të resortit’,” thotë pushuesi.
Ndërkohë, kur ai kërkoi pamjet e kamerave të sigurisë nga hapësirat publike të resortit, mori përgjigjen se nuk ekzistojnë kamera, pasi “banorët nuk i duan për shkak të privatësisë.”
