Nga një vend që në njëzet vitet e fundit kishte humbur 20 gjyqe ndërkombëtare dhe kishte fituar vetëm tre, në tre muajt e fundit qershor-gusht 2024, Shqipëria arrin të fitojë tre gjyqe të rëndësishme në arbitrazhin ndërkombëtar, duke i kursyer buxhetit të shqiptarëve rreth 150 milionë euro në gjoba dhe dëmshpërblime. Qeveria ndodhet po ashtu në pritje të marrë rreth 58 milionë euro, që i takojnë si 50 përqind, gjysma e fitimit të një kompanie të huaj prodhimi dhe tregtimi nafte, e cila zhvillon aktivitet tek ne. Më shumë se sa shmangja e gjobave dhe të ardhurat e mundshme të ligjshme në Arkën e Shtetit nga këto gjyqe, Shqipëria ka fituar në imazh. Po shihemi nga të gjithë si një vend që respekton ligjet ndërkombëtare të biznesit dhe ka legjislacion të brendshëm që nuk shkon kundër normave ndërkombëtare të të bërit biznes.
Mori fund dhe perceptimi i Shqipërisë si një shtet i dobët në fushën e të drejtës ndërkombëtare tregtare, i cili humb në masë gjyqe të arbitrazhit ndërkombëtar, për shkak të ankesave të kompanive të huaja tregtare që zhvillojnë ose kanë provuar të zhvillojnë aktivitet në territorin e saj. Kështu, më 26 qershor 2024, një çështje shumë e rëndësishme u fitua nga shteti ynë në gjykatën ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), me seli në Paris. Gjykata dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Albpetrol. Kompania Bankers Petroleum kishte kërkuar në arbitrazhin ndërkombëtar që t’i njihen si shpenzime 236 milionë dollarë amerikanë, të refuzuar si të tilla nga shteti shqiptar.
Kompania e huaj pretendonte se kjo shumë përfaqësonte shpenzime të justifikuara, nga aktiviteti i prodhimit të naftës në fushën e Patos-Marinzës, përmes procedurës së rikuperimit të kostove. Arbitrazhi nderkombetar në Paris u shpreh se kostot e pretenduara nga kompania Bankers Petroleum janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme. Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, kompania e huaj duhet të paguajë tatim mbi fitimin për aktivitetin e saj. Dhe në rastin e kontratave të hidrokarbureve siç është me kompaninë Bankers Petroleum, tatimi mbi fitimin nuk është 15 përqind, por 50 përqind. Pra, mbi shumën 236 mln USD të shpenzimeve të pretenduara, do të bëhet një verifikim se sa janë kostot reale. Do të zbriten këto kosto reale dhe më pas, do të nxirret fitimi neto i kompanisë, i cili, nga disa përllogaritje paraprake, mund të jetë edhe 116 milionë USD.
Nga ky fitim, i cili do të përllogaritet me procedura strikte ligjore, lind, sipas kontratës, detyrimi i Bankers Petroleum per t’i dhënë gjysmën e fitimit shtetit shqiptar, i cili duhet të arkëtohet në Buxhetin tonë të Shtetit. Rëndësia më e madhe e vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar për gjyqin me Bankers Petroleum qëndron në mesazhin e fuqishëm se me shtetin shqiptar nuk mund të luhet më në investimet e huaja për pasuritë e nëntokës, sikurse, për fat të keq, ka ndodhur rëndom, në të kaluarën. Detyrimet ndaj tij duhet të paguhen të gjitha. Ndërkohë, me një vendim të datës 26 korrik 2024, trupa gjykuese ICSID, pjesë e grupit të Bankës Botërore vendosi të rrëzojë pretendimet e palës paditëse, kompanisë “Durrës Kurum Shipping Shpk.”, ndaj shtetit shqiptar. Pretendimet e kompanisë së huaj lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e konteinerëve në Portin e Durrësit. Gjykata ndërkombëtare vendosi se vendimet e gjykatave shqiptare, që kanë rrëzuar pretendimet e Durrës Kurum Shipping Shpk. qëndrojnë, pasi këto gjykata ishin të pranuara si kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshje, që në fillim, në kontratën dypalëshe të investimit, të lidhur mes palëve.
Nderkohe, në dhjetor 2021, kompania austriake IVICOM Holding GmbH nisi një arbitrazh ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë pranë Institutit të Arbitrazhit të Dhomës së Tregtisë së Stokholmit (SCC), bazuar në Traktatin e Kartës së Energjisë (ECT), i cili mbron investimet e huaja në sektorin e energjisë. Pretendimi i kësaj kompanie ishte se Shqipëria, përmes vendimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kishte ndërmarrë veprime diskriminuese, duke shpronësuar investitorin IVICOM Holding GmbH dhe duke i shkaktuar një dëm të vlerësuar fillimisht prej 50 milionë eurosh. Investimi parashikonte ndërtimin dhe zhvillimin e një termocentrali me turbina me gaz me cikël të kombinuar 500 MW, pranë qytetit të Korçës.
