PS shkon në zgjedhje me 80% të ekipit drejtues kandidat për qelitë e SPAK, ja kush janë emrat që do të komandojnë…

Data

Kryesocialisti Edi Rama mbledhjen e asamblesë së re socialiste në Durrës, e shfrytëzoi për të hedhur hapin e radhës të projektit të tij rinovues të cilin e quajti “PS e 2030” për “Shqipërinë 2030”. Ai njoftoi dje një mori me ndryshime si në kryesinë e PS, ashtu edhe në 15 drejtuesit politik në qarqe, ku për herë të parë Tirana do të ketë 3 “shefa”. Por “PS e 2030”, mund të ngelet përgjysmë si ëndërr, pasi 80 % e ekipit drejtues që zgjodhi Edi Rama janë kandidatë për qeli. Le ta nisim me Erion Veliajn. Kryebashkiaku i Tiranës u emërua nga Rama si një nga drejtuesit politikë të qarkut të Tiranës. Bazuar nga ato që kanë dalë deri më tani publikisht, Veliaj i ka llogaritë e hapura me SPAK. Ai po përballet me skandalet që kanë plasur në Bashkinë e Tiranës me dosjen “5 D”, si edhe me aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilat dha llogari më 30 prill duke u marrë në pyetje për 8 orë në SPAK. Thuhet gjithashtu se prokurorët po i hetojnë dhe pasurinë kryebashkiakut. Një tjetër emër problematik që Edi Rama e emëroi si drejtuesen e dytë të qarkut të Tiranës, është edhe Ogerta Manastirliu. Ajo u thirr disa javë më parë në SPAK për të dëshmuar lidhur me aferën e “sterilizimit”. Gjithashtu çështje të tjera ku del emri i Manastirliut në dosjet që po hetojnë prokurorët janë tenderat sekretë në kohën e pandemisë dhe koncesionet e tjera në shëndetësi.

Detajet

Ulsi Manja është caktuar nga Rama në Lezhë. Por edhe dosjet e tij nuk janë të pakta në SPAK, duke nisur nga ato për manipulimet elektorale e duke përfunduar tek denoncimet që janë bërë së fundmi ndaj tij. Madje thuhet se emri i tij ka dalë edhe nga zbardhja e përgjimeve SKY, program i cili përdorej nga kriminelët. Emër tjetër që ka probleme me drejtësinë është edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Rama e emëroi këtë të fundit në Elbasan. Mazniku është u pyet në qershor nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me aferën e kompanisë 5D, në cilësinë e ish-nënkryetarit të Bashkisë Tiranë.

Drejtuesja më problematike me drejtësinë

Belinda Balluku, ministrja e preferuar e kryeministrit Edi Rama ka mal me dosje në SPAK. Edhe pse ajo ndodhet në pozita shumë të vështira me drejtësinë, kryesocialisti ka vendosur që ta emërojë drejtuese politike në Fier, ashtu siç e paralajmëroi gazeta “SOT” para pak javësh. Dosja e fundit që u dorëzua në tryezën e SPAK për Ballukun është afera e madhe e tunelit të Llogarasë. Grabitja aty është e pastër, pasi Balluku favorizoi kompaninë turke që paraqiti ofertën më të shtrenjtë, duke “gllabëruar” 30 milionë euro. Por edhe pse dosjet e saj shtohen në SPAK, Balluku nuk tërhiqet nga faturat e shtrenjta e të fryra për rrugët. Më 15 maj të këtij viti, ajo u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për hetimet ndaj inceneratorit të Tiranës. Në mars 2021, PD paditi zv/kryeministren në SPAK për koncesionin e Portit të Durrësit. Balluku akuzohej për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit. Kalata iu dha me koncesion për 5 vjet një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale, në shkelje flagrante të kërkesave për tenderin. Po për Portin e Durrësit, PD ka bërë një padi të dytë një vit më pas ndaj Ballukut, por edhe ndaj kryeministrit Edi Rama e Delina Ibrahimajt, si të implikuar në aferën e Portit të Durrësit. Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimet për rrugën Korçë-Ersekë, dosje që mban emrin e Ballukut. Po ashtu dyshohet se Balluku po hetohet për akuzën se ka falsifikuar diplomën kur filloi punë në shtet dhe iu desh të vërtetonte se kishte studiuar diku. Dyshohet gjithashtu se Belinda Balluku po hetohet për fshehje pasurie.

Të tjera dosje

Përveç Belinda Ballukut, një tjetër candidate për qeli është edhe Mirela Kumbaro, e cila ka firmën e saj në të paktën 23 dosje që ndodhen në duart e SPAK. Mirela Kumbaro është në qendër të skandalit të mbetjeve toksike të dala nga Porti i Durrësit nga një kompani e licencuar nga ministria e saj. Edhe pse skandali është i freksët dhe po hetohet nga drejtësia, ku Kumbaron e fundosin firmat, Edi Rama ka vendosur ta emërojë si drejtuese politike e qarkut Gjirokastër. Nga ana tjetër, njeriu i dytë më i votuar pas tij në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ish-ministër i Brendshëm, Taulant Balla u propozua nga Rama vetëm si sekretar për Diasporën. Balla i ka edhe më të komplikuara gjërat, pasi emri tij është futur në rrethin e kuq edhe nga ndërkombëtarët. Është dosja “Toyota Yaris” e cila është sërish në qendër të “vëmendjes” nga Belgjika, pas trazirave që shkaktoi në vitin 2018 në politikën shqiptare. Gazetari Artan Hoxha, një njohës i mirë i kësaj dosjeje, paralajmëroi se pushtetari i radhës për t’u bërë kurban mesa duket është Taulant Balla, pasi është i dyshuari kryesor i implikuar në këtë aferë. Ai u shpreh para pak javësh se belgët nuk janë të kënaqur me drejtësinë në Shqipëri dhe janë në kërkim të pronarëve të vërtetë të 3,4 mln euro cash që vinin me trajle transportuese makinash nga Belgjika më 2018-ën. Balla është paraqitur në SPAK vitin e kaluar. Gjithashtu, Rama ka vendosur që të emërojë si drejtues politik të qarkut Korçë, sërish Niko Peleshi, edhe pse ky i fundit është thirrur më 5 mars në SPAK. Peleshi është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas thuajse më shumë se 2 orësh qëndrim. Ish-ministri i ka llogaritë e hapura me drejtësinë e re, pasi emri tij del te inceneratorët. Gjithashtu te procedurat e matësit e ujit kur ka qenë në bashkinë e Korçës, ose për lidhjet e tij me skandalet në ushtri, dosje të cilën SPAK po e heton prej 3 vitesh. Një tjetër kandidate për qeli që mori besimin e Ramës si drejtuese e qarkut të Durrësit është Emiriana Sako. Ajo u paraqit para SPAK më 17 maj të këtij viti. Sako u pyet për disa orë dhe çështjet të cilat mund ta fundosin në SPAK janë inceneratorët dhe abuzimet me fondet e rindërtimit. Pra në skanerin e 9 nga 13 drejtues politik të qarqeve që janë në total, dalin me probleme të mëdha me drejtësinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related