PS refuzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, opozita paralajmëron protestë më 12 mars

Data

Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur të mos i japë autorizimin Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Në raportin e hartuar nga deputetët socialistë argumentohet se ndaj Ballukut nuk ka akuza për korrupsion dhe se nuk ekziston rreziku i arratisjes apo i prishjes së provave, siç pretendohet nga SPAK. Sipas raportit, masa e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më pasoja juridike, pasi ajo nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri.

“Narrativa mbi të cilën Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar kërkesën për masa më të rënda sigurie mbetet hipotetike, pasi lidhet me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja nuk i ushtron më”, thuhet në raportin e shumicës.

Deputeti socialist Ulsi Manja, duke lexuar raportin në Këshillin e Mandateve, deklaroi se SPAK nuk po pengohet në hetimet e tij dhe se çështja mund të vijojë normalisht në drejtësi.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së i cilësoi hetimet ndaj Ballukut si një “gjyq publik”, duke theksuar se hetimi duhet të vazhdojë dhe se vendimet përfundimtare i takojnë gjykatave.

Ndërkohë, opozita ka kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës dhe ka rekomanduar miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, duke u mbështetur në provat e paraqitura nga prokuroria, jurisprudencën kushtetuese dhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Votimi për imunitetin e Belinda Ballukut pritet të zhvillohet në seancën plenare të së enjtes, më 12 mars, ndërsa opozita ka paralajmëruar edhe një protestë para Kuvendit në të njëjtën ditë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related