Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka akuzuar sot Partinë Socialiste se po manipulon procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit duke përdorur në mënyrë të paligjshme firmat e deputetëve demokratë, si mbështetje për kandidatë që PD nuk i ka propozuar.
Sipas tij, mazhoranca ka tentuar të paraqesë disa kandidatura si të mbështetura nga opozita, ndërkohë që PD ka deklaruar zyrtarisht se asnjë prej deputetëve të saj nuk ka firmosur për ndonjë kandidim.
“PD njoftoi Kuvendin që më 2 dhjetor: Çdo firmë e përdorur në emrin tonë është e pavlefshme”
Strazimiri theksoi se PD ka dorëzuar me 2 dhjetor një dokument të nënshkruar nga të gjithë deputetët e grupit, ku sqarohet se asnjë firmë që përdoret në emrin e tyre nuk ka vlerë ligjore.
Ai e quajti shpifje pretendimin e Partisë Socialiste se njoftimi ka ardhur jashtë afatit:
“Ky pretendim, përveçse i pavërtetë, është kryekëput antiligjor. Afatet ligjore vlejnë për kandidatët, jo për deputetët, të cilët mund ta tërheqin mbështetjen deri në çastin e votimit.”
Kandidatët që paraqesin firma të PD-së nuk plotësojnë kriteret ligjore
Ligji kërkon 28 firma deputetësh për një kandidaturë të vlefshme për Avokat Populli. Strazimiri thekson se kandidatët që pretendojnë se kanë firma të PD-së, nuk i kanë realisht, pasi grupi demokrat i ka shpallur zyrtarisht të pavlefshme.
“Asnjë prej këtyre kandidatëve nuk e plotëson kriterin themelor të ligjit. Nuk kanë numrin e nevojshëm të firmave.”
“Ajo që ndodhi sot në Komisionin e Ligjeve është e paligjshme”
Deputeti demokrat akuzoi Komisionin e Ligjeve se ka vepruar në kundërshtim me:
- Kushtetutën
- Rregulloren e Kuvendit
- Ligjin për Avokatin e Popullit
- Praktikën parlamentare të viteve
Ai e cilësoi procesin e sotëm si “falsifikim të fakteve dhe vullneteve të deputetëve”.
PS mund të zgjedhë kë të dojë, por jo duke mashtruar publikisht
Strazimiri la të kuptohet se PS ka shumicën për të kaluar kandidatin e vet, por nuk ka të drejtë ta paraqesë vendimin si konsensus politik.
“PS mund të zgjedhë me votat e saj kë të dojë, ndonjë shërbëtor haptazi ose fshehurazi. Por nuk mund ta bëjë këtë duke mashtruar se është vullnet i opozitës.”
PD ka propozuar zgjidhjen – Kuvendi ende pa përgjigje
Dokumenti i 2 dhjetorit, sipas Strazimirit, përmban edhe propozimin e PD-së për mënyrën e vijimit të procesit në përputhje me praktikën parlamentare.
Por deri tani, Kryetari i Kuvendit nuk ka kthyer përgjigje.
