Pas muajsh përplasjesh politike dhe akuzash të ndërsjella, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë gjetur gjuhën e përbashkët për projektligjin e ri të amnistisë penale, duke i hapur rrugën lirimit të menjëhershëm të rreth 400 të dënuarve dhe uljes së dënimit për afro 900 të tjerë.
Edhe pse mazhoranca i disponon e vetme votat e nevojshme për miratimin e ligjit, demokratët kanë zgjedhur të mbështesin nismën e qeverisë, duke krijuar një konsensus të rrallë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Deputetët e PD-së, Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, votuan pro projektligjit, ndërsa kërkuan që nga amnistia të mos përfitojnë personat e përfshirë në korrupsion dhe çështje të hetuara nga SPAK.
Kush përfiton nga amnistia?
Sipas draftit të miratuar në komision, lirim të menjëhershëm do të përfitojnë:
- Burrat e dënuar me deri në 3 vite burg ose me më pak se 3 vite të mbetura nga dënimi;
- Gratë e dënuara me deri në 4 vite burg ose me më pak se 4 vite të mbetura;
- Burrat mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç;
- Të miturit që kanë qenë deri në 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale.
Përveç lirimit, projektligji parashikon edhe ulje të dënimit:
- 1 vit ulje për të dënuarit përfitues;
- 1.5 vite ulje për gratë dhe të miturit.
Gjithashtu, do të pushohen procedimet penale për një sërë veprash që dënohen deri në tre vite burgim.
Kush përjashtohet?
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, amnistia nuk do të zbatohet për:
- Vrasje të rënda;
- Krime seksuale;
- Trafikim të qenieve njerëzore;
- Terrorizëm;
- Korrupsion;
- Krim të organizuar;
- Krime zgjedhore;
- Pastrim parash.
Po ashtu, nuk do të përfitojë asnjë person që është nën juridiksionin e SPAK-ut dhe GJKKO-së.
Çfarë pritet të ndodhë?
Ministria e Drejtësisë vlerëson se zbatimi i amnistisë do të ulë me rreth 10% numrin e të burgosurve në sistemin penitenciar shqiptar.
Projektligji është miratuar në parim dhe nen për nen në komision dhe pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 18 qershorit, ku miratimi i tij konsiderohet pothuajse i sigurt.
