Dy dokumente joformale (non-paper) po qarkullojnë së fundmi në qarqet diplomatike të Bashkimit Evropian. Njëri është propozimi franko-gjerman, i bërë publik para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ndërsa tjetri është një propozim i pesë shteteve anëtare të BE-së për kufizimin e disa të drejtave të anëtarëve të rinj të unionit. Dokumenti i parë synon të krijojë një dinamikë të re për vendet kandidate, duke u ofruar atyre përfitime nga anëtarësimi edhe para hyrjes formale në BE. Ndërkohë, dokumenti i dytë fokusohet te funksionimi i institucioneve evropiane dhe parandalimi i situatave kur anëtarët e rinj mund të bllokojnë vendimmarrjen e unionit. Një nga propozimet kryesore është kufizimi i së drejtës së votës për anëtarët e rinj në çështje që kërkojnë unanimitet, si pranimi i vendeve të reja në BE, politika e jashtme, ndryshimet në traktatet themeluese dhe zgjerimi i Zonës Shengen. Sipas analistëve, këto iniciativa tregojnë se brenda BE-së ende nuk ka një dakordësi të plotë për mënyrën se si duhet të zhvillohet zgjerimi i ardhshëm i bllokut.
Romain Le Quiniou, drejtor i përgjithshëm i institutit francez Euro Creative, vlerëson se propozimi i Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut tregon ndarjet që ekzistojnë mes shteteve anëtare për zgjerimin, pavarësisht dakordësisë mbi rëndësinë gjeopolitike të procesit. Sipas tij, disa vende të Evropës Perëndimore kanë frikë se zgjerimi mund të ndikojë në funksionimin e BE-së dhe për këtë arsye mbështesin ide që lidhen me një Evropë me disa shpejtësi apo edhe me kufizime të caktuara për anëtarët e rinj. Në fund të samitit të zhvilluar në Tivat, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, la të kuptohet se propozimi franko-gjerman mund të mos zbatohet për vendin e tij, pasi rasti i Malit të Zi konsiderohet deri diku unik. Një sinjal të ngjashëm dha edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili deklaroi se ky propozim nuk ka të njëjtën rëndësi për Malin e Zi si për kandidatët e tjerë. Mali i Zi konsiderohet aktualisht kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tij deri në fund të kësaj dekade shihet si një objektiv i arritshëm dhe BE-ja ka nisur tashmë përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit. Megjithatë, nëse miratohet propozimi i pesë shteteve anëtare, Mali i Zi mund të jetë vendi i parë që do të përballet me kufizime të caktuara pas hyrjes në Bashkimin Evropian.
Cili është qëllimi i propozimit franko-gjerman?
Propozimi franko-gjerman mbetet një non-paper, pra një dokument joformal që përdoret në diplomacinë evropiane për të paraqitur ide dhe për të testuar qëndrime pa krijuar detyrime formale. Megjithatë, iniciativa po fiton gradualisht mbështetje në diskutimet politike brenda BE-së. Në draft-konkluzionet e samitit të BE-së që do të mbahet më 18 dhe 19 qershor në Bruksel, thuhet se Këshilli Evropian mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të integrimit gradual mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit gjatë vetë procesit të zgjerimit. Koncepti i integrimit gradual lidhet drejtpërdrejt me propozimin e hartuar nga kabinetet e kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Komisioni Evropian e ka vlerësuar pozitivisht këtë qasje. Zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, deklaroi se ekziston një përputhje e madhe mes ideve të paraqitura në dokument dhe vizionit të Komisionit për procesin e zgjerimit. Sipas tij, ekziston një qëllim i përbashkët që projekti evropian të plotësohet me të gjithë partnerët e zgjerimit që prej vitesh po punojnë për anëtarësimin në BE.
Për kë është më tërheqës propozimi i Berlinit dhe Parisit?
Sipas Berta Lopez Domenech, propozimet për integrim më të thellë para anëtarësimit mund të jenë të dobishme për vendet që ndodhen më larg procesit të pranimit, por jo për vendet që janë në krye të këtij procesi. Ajo thekson se Komisioni Evropian mbështet objektivin që Mali i Zi dhe Shqipëria të përfundojnë negociatat në vitet e ardhshme. Për këtë arsye, diskutimet për statusin e vëzhguesit apo qasjen në tregun e përbashkët nuk sjellin stimuj të rinj për reforma. Sipas saj, këto ide mund të rrisin skepticizmin lidhur me angazhimin e vërtetë të disa shteteve anëtare për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Pse tani ideja për një qasje të re?
Autorët e dokumentit joformal argumentojnë se procesi i zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re politike, pasi ritmi aktual konsiderohet i ngadaltë dhe i mbushur me pengesa procedurale. Megjithatë, Romain Le Quiniou mbetet skeptik ndaj kësaj qasjeje. Ai paralajmëron se disa kryeqytete evropiane mund ta përdorin procesin e ri të integrimit gradual për ta shtyrë zgjerimin e plotë në plan të dytë. Sipas tij, propozimi është rezultat i bindjes se zgjerimi është një domosdoshmëri gjeopolitike për Bashkimin Evropian, por njëkohësisht edhe i vetëdijes se pranimi i anëtarëve të rinj mbetet një proces kompleks dhe politikisht i vështirë. Ai vlerëson se kjo iniciativë mund të interpretohet edhe si tregues i vështirësive që BE-ja po has për të çuar përpara zgjerimin në një periudhë kur dështimet strategjike do të kishin pasoja të mëdha. Një qëndrim të ngjashëm ndan edhe Berta Lopez Domenech. Sipas saj, një nga pengesat kryesore vazhdon të mbetet hezitimi i disa shteteve anëtare dhe përdorimi i procesit të pranimit për interesa të brendshme politike. Ajo thekson se përpjekjet duhet të fokusohen te forcimi i vullnetit politik të 27 vendeve anëtare për të përmbushur angazhimet e tyre ndaj zgjerimit, duke shtuar se nxitja më e madhe për reformat në vendet kandidate do të jetë momenti kur premtimi për anëtarësim të bëhet realitet.
