Protestues shqiptarë përballen me Ramën në Berlin, thirrje për dorëheqje gjatë daljes nga aktiviteti

Data

Kryeministri Edi Rama është përballur me protesta dhe thirrje kundërshtuese gjatë qëndrimit të tij në Berlin, ku mori pjesë në një aktivitet ndërkombëtar.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale dhe media, një grup protestuesish shqiptarë e kanë pritur kryeministrin në dalje të aktivitetit, duke i drejtuar thirrje për dorëheqje dhe duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të qeverisë.

“Edi Rama, jep dorëheqjen!”, “Turp!”, “Anulo projektin!” dhe “Anulo ligjin!” ishin disa nga sloganet e dëgjuara gjatë momentit kur kreu i qeverisë po largohej nga vendi i aktivitetit.

Në pamjet e shpërndara, Rama shihet teksa përshëndet me dorë personat e pranishëm dhe më pas hipën në automjetin e tij, pa u përfshirë në debat me protestuesit.

Ngjarja vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë po zhvillohen prej më shumë se dy javësh në Tiranë dhe kanë gjetur jehonë edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Në ditët e fundit janë raportuar tubime dhe reagime mbështetëse nga shqiptarë që jetojnë në disa qytete evropiane.

Protestuesit në Berlin deklaruan se synimi i tyre ishte të përcillnin mesazhin e pakënaqësisë qytetare edhe jashtë Shqipërisë dhe të tërhiqnin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar ndaj zhvillimeve politike në vend.

Ndërkohë, kryeministri Rama nuk ka bërë një koment publik lidhur me episodin e ndodhur gjatë vizitës së tij në Gjermani.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related