Pak orë para protestës së paralajmëruar nga opozita, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe forcave opozitare që t’i bashkohen tubimit të sotëm, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për vendin.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se protesta nuk është thjesht një akt politik, por një mision qytetar për përmbysjen e asaj që ai e cilësoi si regjim autokratik. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një situatë të ngjashme me vende që kanë përjetuar revolta popullore pas korrupsionit dhe keqqeverisjes.
“Ky është shansi i jetës për çdo qytetar. Një mision i madh na pret, një mision për dinjitetin, familjen dhe të ardhmen. Ashtu siç ndodhi në vende të tjera ku autokratët u rrëzuan pasi grabitën pasuritë e popujve të tyre, edhe këtu qytetarët po ngrihen”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se data 22 dhjetor duhet të shënohet si një ditë bashkimi për të gjithë ata që ndihen opozitarë, pavarësisht dallimeve politike. Sipas tij, zemërimi qytetar është rritur ndjeshëm dhe ndjehet kudo në vend.
“Tirana po zien, Shqipëria po zien. Nuk ka forcë që mund të ndalojë qytetarët kur ata vendosin të përmbysin një regjim. Kam besim të plotë se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe drejt fitores së qytetarëve për dinjitet dhe drejtësi”, deklaroi ai.
Berisha ftoi qytetarët dhe forcat opozitare të dalin masivisht në shesh, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një akt përgjegjësie historike.
