Analisti Ben Andoni, i ftuar në një intervistë televizive, tha se protesta e paralajmëruar nga opozita në Bruksel është tregues pozitiv.
“Është simbolike. Ju e njihni Brukselin. Protesta atje do të jetë protesta më paqësore e mundshme. Për një demokraci është mirë që protestohet. Është gjë e mirë që kemi arritur në një cak që protestohet. Por PD duhet të mendojë për zhvillimet e brendshme sesa për simbolika të tilla. PE është mësuar me protesta.”
Megjithatë sipas tij, opozita sfidën më të madhe e ka me identitetin e vet.
“Fjalët që thuhen në takime kortezie nuk janë fjalë që zënë vend. Psh Trump nuk kishte njohuri fare për Kosovën para se të bënte marrëveshjen në Dhomën Ovale. Tani më thoni ju sa rëndësi ka për të një bisedë e tillë. PD sfidën më të madhe e ka me pjesën e identitetit të vet. Por një pjesë e madhe e tyre punojnë që të jenë sa më lart në listë për veten e tyre dhe kaq. Do të shikoni kur të shpallen listat besueshmërinë e vërtetë të PD. Do të shohim reagimin e atyre që mbeten jashtë listës.”
Duke u ndalur te bisedimet mbi kapitujt themelorë që do të zhvillohen në Luksemburg më 15 tetor nën kujdesin e presidencës hungareze të BE, Andoni tha se një zhvillim kaq I rëndësishëm për Shqipërinë u eklipsua nga lajme me më pak peshë si ideja e shtetit bektashi apo vizita e Erdoganit në Tiranë.
“Është procedurë burokratike më shumë, por me impakt shumë të madh për Shqipërinë. Nis punë me metodologjinë re, sepse duhet thënë se Mali i Zi dhe Serbia vijojnë me metodologjinë e vjetër. Besoj se është një hap i mirë sepse kapitulli 23 ka shumë rëndësi. Por impakti i kësaj këto ditë ka qenë pothuajse nul. Vëmendja iu dha shtetit bektashi apo vizitës së Erdogan.”
