Aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë sot i bllokuar për disa orë, për shkak të një proteste të paralajmëruar nga fermerët grekë. Sipas njoftimit të Policisë Kufitare Kakavijë, i marrë nga qendra e përbashkët e shkëmbimit të informacionit, autoritetet greke kanë konfirmuar se bllokimi do të zgjasë nga ora 18:00 deri në 22:00 (ora greke).
Protesta vjen si pjesë e demonstratave të vazhdueshme të fermerëve në Greqi, të cilët kërkojnë ndërhyrje të qeverisë për çështje që lidhen me subvencionet, kostot e prodhimit dhe politikat bujqësore.
Qarkullimi i mjeteve i kufizuar
Gjatë orëve të bllokimit, vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore do të lejohen të lëvizin në këtë aks të rëndësishëm që lidh Shqipërinë me rajonin e Epirit.
Thirrja e Policisë Kufitare
Policia Kufitare Kakavijë u bën thirrje qytetarëve dhe udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet në orare alternative për të shmangur vonesat:
“Lutemi për mirëkuptimin e qytetarëve dhe i këshillojmë të shmangin udhëtimet në këtë interval kohor, për shkak të bllokimit të qarkullimit nga pala greke.”
Bllokime të tilla pritet të shkaktojnë vonesa të konsiderueshme në qarkullimin rrugor, veçanërisht për udhëtarët e linjave ndërqytetase dhe transportin e mallrave.
