Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore nga Partia Socialiste, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme të diskutojë propozimin e Partia Demokratike për kalimin në sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.
Sipas tij, një ndryshim i tillë nuk mund të bëhet pa prekur Kushtetutën, pasi sistemi zgjedhor aktual është i përcaktuar në ligjin themeltar të shtetit. Për këtë arsye, Gjiknuri thekson se çdo diskutim duhet të zhvillohet në kuadër të një reforme më të gjerë kushtetuese.
Ai sugjeroi ngritjen e një Komisioni të Reformës Kushtetuese, ku palët politike të shqyrtojnë jo vetëm ndryshimin e sistemit zgjedhor, por edhe çështje të tjera, si numri i deputetëve në Kuvend, që është një propozim i bërë më herët nga socialistët.
Gjiknuri nënvizoi se reforma zgjedhore duhet të bazohet në rekomandimet e OSBE/ODIHR, duke theksuar se për sistemin zgjedhor nuk ka një rekomandim specifik, çka e bën këtë çështje më shumë një vendim politik sesa teknik.
Ai shtoi se mazhoranca është e hapur për negociata me opozitën, por çdo ndryshim duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektojë interesat e të gjitha palëve politike, duke respektuar balancat kushtetuese të vendit.
