Kryeministrin Edi Rama duket se e presin ditë të vështira. Përballë një situate të tensionuar dhe një skandali ndërkombëtar që ka shkundur themelet e besimit në institucionet e sigurisë amerikane, hetimi ndaj lidhjeve të Edi Ramës me ish-kryezbuluesin e FBI, Charles McGonigal, ka marrë një dimension të ri. Matt Gaetz, një ndër emrat kryesorë që pritet të jetë në kabinetin e ri të Donald Trump si Prokuror i Përgjithshëm dhe Ministër i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shpallur një angazhim të qartë për të zbardhur çdo detaj të kësaj afere, e cila ka ngjallur shqetësim të madh për korruptimin e një zyrtari të lartë të FBI-së.
Gaetz ka premtuar një luftë të ashpër kundër politizimit të agjencive federale dhe përdorimit të tyre si armë politike, një përpjekje që tani po merr një formë të re me hapjen e hetimeve ndaj Ramës dhe mundësinë e zbulimit të shkeljeve të mundshme të ligjit. Në shkurt të vitit 2023, Gaetz dhe Jim Jordan kërkuan hetime të thelluara për afera që përfshijnë përfitimet e mundshme të kryeministrit Rama nga marrëdhëniet me McGonigal, i cili tashmë është nën akuzë për korrupsion. Hetimet kanë përfshirë kërkesa për zbardhjen e dokumenteve të FBI-së dhe një shqyrtim të thelluar të mënyrës se si është mundur që një zyrtar kaq i fuqishëm të korruptohet, duke i hapur kështu rrugë një hetimi ndërkombëtar që mund të çojë deri te një skandal me pasoja të rënda për kreun e qeverisë shqiptare.
Ky zhvillim dhe me Gaetz tani në pozitat më të larta të drejtësisë amerikane, tregon se dosja “McGonigal” ka të ngjarë të marrë një vëmendje të shtuar, duke e bërë të mundur që zoti Rama të përballet me akuzat që mund ta çojnë drejt burgut, sikurse ka ndodhur me mikun e tij, Charles McGonigal. Pra kjo situatë është një test për sistemin drejtësisë në SHBA dhe një mundësi për të treguar se asnjë emër i madh, asnjë politikan, nuk mund të jetë mbi ligjin. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht, ndërsa theksojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Detajet
Ndërkohë sikundër e bëmë me dije më sipër, zoti Matt Gaetz do të jetë Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht ministër i Drejtësisë në kabinetin e ri qeveritar të Donald Trump. Ai njihet si një kundërshtar i rreptë i miliarderit majtist, George Soros, pasi ka deklaruar publikisht se drejtësia në SHBA është sorosëzuar. Por Gaetz ka premtuar se do të luftojë kundër përdorimit të agjencive shtetërore amerikane si armë politike ndaj kundërshtarëve. Për këtë arsye, në shkurt të vitit të shkuar, kongresmeni Gaetz kërkoi që të hetohej afera e kryeministrit Edi Rama me ish-kryezbuluesin e FBI, Charles McGonigal. Siç raportonte gazeta “SOT”, një vit më parë, kryetari republikan i Komisionit Hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, i dërgoi një letër FBI-së, duke kërkuar detaje për skandalin Rama-McGonigal.
