Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për presion dhe kanosje ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas Këlliçit, vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK është pasojë direkte e sulmeve publike dhe presionit politik të ushtruar nga kryeministri.
“Vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK, pas një fushate sulmesh të ndërmarrë nga Edi Rama ndaj tyre, tregon edhe një herë se organizata më e madhe kriminale në vend po vepron me metoda mafioze”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Këlliçi thekson se për vite me radhë, kur SPAK hetonte dhe ndiqte penalisht figura të opozitës, nuk kishte asnjë shqetësim për sigurinë e prokurorëve. Sipas tij, situata ka ndryshuar vetëm pasi hetimet janë përqendruar te korrupsioni qeveritar dhe lidhjet e pushtetit me krimin.
“Problemet nisën në momentin kur u prek korrupsioni galopant dhe lidhjet e qeverisë me krimin. Kërcënimet nisën me Veliajn dhe po kulmojnë sot, kur Belinda Balluku është shpallur e pandehur dhe hetimet përfshijnë tashmë edhe Edi Ramën”, deklaron Këlliçi.
Ai shton se shtimi i masave të sigurisë, veçanërisht për prokurorin që po heton dosjen e Belinda Ballukut, është një sinjal alarmi për gjendjen e rëndë të vendit dhe për përpjekjet për të frikësuar drejtësinë.
“Sot çdo shqiptar e di se prokurorët që po hetojnë aferat e mëdha, tenderat qindra milionë euro dhe skandalet e qeverisë, janë të kërcënuar”, thekson deputeti demokrat.
Në përfundim, Këlliçi e cilëson situatën si një moment vendimtar për vendin dhe u bën thirrje qytetarëve të reagojnë, duke lidhur zhvillimet me protestën e paralajmëruar më 10 shkurt.
