Projekti në xhaminë e Plumbit, DRTK Shkodër: I rëndësishëm për ruajtjen dhe konservimin e këtij monumenti historik

Data

Projekti për rivitalizimin e xhamisë së Plumbit  në Shkodër parashikon jo vetëm restaurimin e thellë të saj, por edhe transformimin e hapësirës përreth. Xhamia e Plumbit në Shkodër është  një ndër objektet e kultit më të rëndësishme, jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan, ku me rëndësi është dhe projekti i restaurimit. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër një ditë më parë u shpreh se aktualisht, po vazhdojnë punimet për injektimin e plumbit në kupolat e xhamisë së Plumbit.

“Një projekt i rëndësishëm për ruajtjen dhe konservimin e këtij monumenti historik. Këto punime kanë për qëllim përmirësimin e stabilitetit dhe do të ndihmojnë në mbrojtjen e strukturës nga dëmtimet e mëtejshme”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër.  DRTK shpjegon se injektimi i plumbit është një teknikë e përdorur për të forcuar dhe stabilizuar strukturat historike dhe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave kulturore të xhamisë.

“Projekti, konsiston në rijetëzimin e monumentit të kulturës nëpërmjet rikualifikimit të zonës, rivitalizimin e xhamisë së Plumbit dhe kthimin e këtij tempulli jo vetëm besimtarëve por edhe Shkodrës një tjetër destinacion atraktiv turistik”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Shkodër, që ka ndarë në faqen e saj edhe disa foto gjatë punës që po bëhet në këtë xhami.

Më herët përpara se të niste ky projekt ish ministrja e Kulturës Elva Margariti ka shkruar se ndërhyrja kryesore lidhet me zgjidhjen e problemit të përmbytjeve, krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese dhe restaurimin e ndërtesës. Sipas ish ministres së Kulturës, detajet arkitektonike nuk do të cënohen. Jo pa rëndësi sipas saj ishte edhe sistemimi i peizazhit të ambientit përreth, për ta kthyer në një park të denjë për besimtarët e turistët.

Investimi për projektin e restaurimit

Restaurimi i xhamisë së Plumbit, Shkodër vjen si investim falë protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë. Xhamia e Plumbit ose xhamia e Mehmet pashë Bushatit është një xhami historike, si dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër.

E ndërtuar më 1773 është ndërtesa më e mrekullueshme e vjetër dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë. Quhet e Plumbit, sepse në kohën e sundimit osman, kubetë e xhamisë ishin të veshura me shtresa plumbi. Me kohën dhe braktisjen e lagjes, njerëzit nisën t’ia hiqnin plumbin për ta shitur. Në kohën e pushtimit austro-hungarez, organet ushtarake vazhduan këtë vepër shkatërruese, duke ia hequr plumbin e mbetur.

E ndërtuar nga Mehmet pashë Plaku i Bushatllinjve, shënjoi rëndësinë e fushës në lindje të kodrës së kalasë, e cila asokohe po gëzonte një zhvillim të madh në përvijim të pazarit. Xhamia është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related