Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin e saj për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, duke ngritur shqetësime për premtimin e qeverisë që të ardhurat nga taksa e Windfall, të mbledhura gjatë krizës së çmimeve të energjisë, do të shkojnë për rritjen e pensioneve.
“Ku është mbledhur kjo taksë dhe për çfarë është përdorur ajo?” – pyeti Tabaku.
Ajo gjithashtu u ndal te informaliteti, duke thënë se me rritjen e sigurimeve shoqërore nga rritja e pagës minimale do kishte 60 milionë euro më shumë në buxhet, por sipas saj lufta ndaj fenomenit të mos deklarimit të pagave ka sjellë vetëm 15 milionë euro.
“Keni parashikuar rritjen e TVSH-së si pasojë e inflacionit dhe rritjen e sigurimeve shoqërore nga rritja e pagës minimale, që do të sjellë 60 milionë euro. Ndërkohë, lufta ndaj informalitetit do të sjellë vetëm 15 milionë euro më shumë. Pra, si do t’i rrisni pensionet që pretendoni?”, tha Tabaku.
Ajo gjithashtu kritikoi parashikimin e qeverisë për të ardhurat nga lojërat e fatit, të cilat janë vlerësuar në 40 milionë euro, dhe kërkoi sqarime për bazat e këtij parashikimi.
