Situata me mbetjet mbetet problematike në qarkun e Shkodrës, ku vazhdon të shqetësojë banorët.
Premtimet për mirëqënie dhe pastërtinë e qytetit nga kryebashkiaku Benet Beci, duket se mbetën vetëm fjalë, pasi situata paraqitet totalisht ndryshe, në krahasim me propagandën dhe fasadën që paraqitet në media apo edhe në rrjetet sociale.
Këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli, ka publikuar denoncimet e banorëve të disa zonave, ku kryesisht në Malësi të Madhe shumica e koshave të mbeturinave janë të tejmbushur, madje në pjesë të ndryshme janë derdhur edhe në mes të rrugës.
Shkreli e ka cilësuar si skandaloze situatën me mbetjet, ku ka shtuar më tej se sipas saj prioriteti i kërkuar nga vetë kryeministri i kryebashkiakëve veriorë gjatë fushatës zgjedhore, ka qenë pastërtia e gjithë territorit të Qarkut Shkodër.
“Çdo ditë denoncohen raste të grumbujve me mbeturina ku qeverisja lokale duket tërësisht indiferente dhe e pazonja të zgjidhë situatën mirëmenaxhimit e pastrimit të kontenierëve të mbeturinave.
Si Shkodra ashtu edhe Malësia e Madhe duket se nuk po gjejnë mënyrën për të mbajtur premtimin e pastërtisë, një prioritet i kërkuar nga vetë kryeministri i kryebashkiakëve veriorë gjatë fushatës zgjedhore.”, shkruan ndër të tjera këshilltarja demokrate.
