Presidenca e Kosovës reagon ashpër: Fotoja e Vjosa Osmanit me politikanët serb është e manipuluar – kërkohet hetim i menjëhershëm

Data

Presidenca e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një fotografie të manipuluar që ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, ku Presidentja Vjosa Osmani paraqitet në mënyrë të rreme pranë kryeparlamentares serbe Ana Brnabiq. Sipas institucioneve kosovare, imazhi është krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale dhe përbën një tentativë të qartë për dezinformim.

Në reagimin zyrtar theksohet se fotografia është plotësisht e rrejshme dhe ka vetëm një qëllim: të cënojë figurën e Presidentes dhe të ushqejë narrativa të fabrikuara që shërbejnë agjendave të huaja kundër Kosovës. Presidenca thekson se Presidentja Osmani vijon të përfaqësojë me integritet dhe dinjitet interesat e shtetit në arenën ndërkombëtare, pavarësisht tentativave për ta sulmuar me montazhe dhe manipulime.

“Pamja është një montazh i krijuar për të shkaktuar konfuzion dhe për të goditur Presidenten Osmani, e cila çdo ditë mbron interesat e Kosovës me seriozitet dhe integritet institucional,” thuhet në njoftim.

Institucioni i Presidencës e cilëson ngjarjen si pjesë të një fushate të rrezikshme dezinformuese, e cila synon të dëmtojë udhëheqjen e vendit dhe të minojë stabilitetin institucional. Sipas komunikatës, përpjekje të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë publike.

Për këtë arsye, Presidenca i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente të nisin menjëherë hetimet dhe të marrin masa ndaj personave apo grupeve që po përhapin fotografi të manipuluara, duke theksuar se çdo akt dezinformimi që cenon institucionet e shtetit duhet të trajtohet me seriozitet të plotë.

Sipas Presidencës, “asnjë foto e rreme nuk mund të zbehë zërin e Presidentes Osmani, e cila mbetet një prej mbrojtëseve më të forta të shtetësisë dhe dinjitetit të Kosovës.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related