“Po fshihen provat nga publiku”/ Tedi Blushi: Çështja e Ilir Meta do të fitohet në Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut

Data

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas seancës së parë të gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar procesin si të parregullt dhe në shkelje të standardeve ligjore.

Në një prononcim televiziv, Blushi deklaroi se zhvillimet në gjykatë nuk përbëjnë surprizë për opozitën, duke akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Nuk kishte asnjë surprizë. Pamë paligjshmëri dhe shkelje të standardeve bazë të një procesi të rregullt,” u shpreh ai.

Blushi kritikoi gjithashtu refuzimin për transmetimin live të seancës, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.

“Çfarë i trembet gjykata që nuk lejon transmetimin live? Provat duhet të bëhen publike,” shtoi ai.

Sipas tij, kufizimi i aksesit të mediave synon të mbajë larg opinionit publik elementë të rëndësishëm të çështjes.

Duke folur për hapat e mëtejshëm ligjorë, Blushi u shpreh se çështja do të ndiqet në instancat ndërkombëtare, duke përmendur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut si një destinacion të mundshëm.

“Strasburgu është një betejë e fituar, për shkak të shkeljeve të dukshme të të drejtave të njeriut,” deklaroi ai.

Në përfundim, ai theksoi se mbrojtja ligjore do të ndjekë të gjitha procedurat e nevojshme, ndërsa e cilësoi procesin si një çështje që, sipas tij, kërkon vëmendje edhe në nivel ndërkombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related