Dhjetëra fermerë të zonave të Dimal dhe Roskovec kanë dalë në protestë në fshatin Samaticë, duke shprehur pakënaqësi për çmimet e ulëta të grumbullimit të produkteve bujqësore, veçanërisht të perimeve të serave.
Sipas tyre, pikat e grumbullimit po operojnë pa transparencë, duke mos deklaruar çmimet në momentin e dorëzimit të prodhimit dhe duke i ndryshuar ato më pas, çka u sjell humbje direkte fermerëve.
Ata theksojnë se aktualisht produkte si kastraveci po shiten me rreth 60-70 lekë për kilogram, çmim që sipas tyre është nën koston e prodhimit, duke i vënë në vështirësi serioze ekonomike.
Fermerët denoncojnë gjithashtu mungesën e faturimit të rregullt dhe kërkojnë ndërhyrjen e Autoriteti i Konkurrencës për të rregulluar tregun dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme.
“Ne kërkojmë që çmimi të jetë i qartë dhe i pandryshueshëm në momentin që dorëzojmë prodhimin. Nuk mund të vendoset më pas sipas dëshirës së grumbulluesve”, u shprehën protestuesit.
Zona ku po zhvillohen protestat ka rreth 500 hektarë sera dhe për shumë familje bujqësia përbën burimin kryesor të të ardhurave. Fermerët paralajmërojnë se nëse situata nuk zgjidhet, protestat mund të përshkallëzohen në ditët në vijim.
