Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin se siguria ushqimore në vend ndodhet në një pikë kritike, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për mungesë kontrolli dhe transparence. Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në këtë forcë politike, Silvana Bajrami, deklaroi se qytetarët shqiptarë po konsumojnë produkte pa garanci të plotë cilësie, ndërsa sistemi i monitorimit mbetet i dobët.
Sipas saj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit funksionon me kapacitete të kufizuara, mungesë laboratorësh të certifikuar dhe kontrolle të pamjaftueshme në terren dhe në pikat doganore. Bajrami theksoi se reagimi i institucioneve shpesh vjen vetëm pasi shpërthen një skandal, dhe jo në mënyrë parandaluese.
PL kritikoi gjithashtu refuzimin e mazhorancës për të miratuar një projektligj që parashikonte analiza të detyrueshme laboratorike për ndotësit ushqimorë. Sipas saj, kjo nismë do të garantonte më shumë transparencë dhe mbrojtje për konsumatorët, ndërsa mosmiratimi i saj tregon mungesë prioriteti ndaj shëndetit publik.
Në deklaratë thuhet se tregu shqiptar po përballet me importe me standarde të paqarta, ndërkohë që prodhuesit vendas përballen me konkurrencë të pandershme. Sipas PL, rritja e çmimeve nuk është shoqëruar me forcim të mekanizmave të kontrollit.
Partia e Lirisë kërkon miratimin e menjëhershëm të një kuadri ligjor që e bën të detyrueshme analizën laboratorike për produktet me risk, investime në laboratorë modernë, shtim të kontrolleve në dogana dhe treg, si dhe transparencë të plotë për rezultatet e analizave dhe shkeljet e konstatuara.
Sipas kësaj force politike, siguria ushqimore është çështje jetike dhe kërkon standarde reale e përgjegjësi institucionale.
