Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, është shprehur optimist se çdo përpjekje e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit është e destinuar të dështojë, duke rritur më tej tensionet në një nga zonat më strategjike për tregtinë globale të energjisë.
Deklaratat e tij vijnë në një moment delikat, ku negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë ngecur, ndërsa retorika nga të dyja palët është ashpërsuar. Pezeshkian theksoi se Irani ka përballuar situata të ngjashme edhe më parë dhe se nuk do të dorëzohet përballë presionit ndërkombëtar.
Në të njëjtën linjë, një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare iraniane paralajmëroi se çdo sulm nga SHBA, edhe nëse i kufizuar, do të pasohet nga kundërpërgjigje të forta. Komandanti i Forcës Ajrore-Hapësinore, Majid Mousavi, deklaroi se Irani ka treguar më parë aftësinë për të goditur objektiva strategjikë dhe se “e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me anijet luftarake”.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për furnizimin global me naftë, dhe çdo përshkallëzim në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë botërore. Paralajmërimet nga Teherani shtojnë shqetësimet për një krizë më të gjerë, veçanërisht në një kohë kur çmimet e energjisë janë tashmë në rritje.
Megjithatë, sipas raportimeve, SHBA dhe Irani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi pa afat të caktuar, çka mund të shërbejë si një dritare për uljen e tensioneve. Pavarësisht kësaj, deklaratat e fundit tregojnë se situata mbetet e brishtë dhe çdo incident mund të çojë në përshkallëzim të shpejtë.
