Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Ilirjana Kuçana, e cila nuk arriti të sigurojë një mandat deputeteje në zgjedhjet e 11 majit, ka ankimuar rezultatin pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe Kolegjit Zgjedhor. Sipas saj, votat preferenciale brenda subjektit i janë devijuar në favor të kandidatit tjetër fitues, Arjan Ndoja, ish-prokuror i shkarkuar nga vettingu.
E ftuar në një emision televiziv, Kuçana u shpreh se beteja e saj nuk është për një mandat, por për dinjitet dhe transparencë zgjedhore. Ajo theksoi se ka kërkuar rinumërimin e kutive të votimit, duke shtuar se seanca gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor do të mbahet më 12 qershor.
