Kamera të prodhuara nga një kompani kineze, e cila së voni u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përdoren në vendvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Kompania kosovare që furnizoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me to thotë se nuk ka shqetësime të sigurisë për kamerat, të cilat, sipas saj, janë në përputhje me kërkesat e sigurisë të SHBA-së dhe të Kosovës.
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.
Këto kamera u kontraktuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në fund të vitit 2024, përmes një procesi tenderues, ku fitues doli kompania Besa Security, e cila ofertoi me çmimin prej rreth 699 mijë eurosh.
Në këtë tender parashihej furnizimi me rreth 2.500 kamera, të cilat do të shërbejnë për të vëzhguar vendvotimet dhe për të dëshmuar parregullsitë e mundshme gjatë procesit.
