Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila akuzoi kreun e qeverisë për “presion” ndaj sistemit të drejtësisë, lidhur me komentet e tij për çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut nga GJKKO.
Në një postim në platformën X, Rama tha se Shoqata “ose nuk e di kuptimin e fjalës presion, ose zgjedh të mos reagojë kur presionet vijnë nga të tjerë”, duke lënë të kuptohet se gjyqtarët kanë heshtur ndaj sulmeve të figurave të opozitës ndër vite.
“Gabojnë nëse presin të mbyll gojën”
Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij, edhe kur është vetë palë në një çështje që shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Shoqata e Gjyqtarëve gabon nëse pret të mbyll gojën. Kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, por për ta. Por nuk mund të mos reagoj kur funksioni i kryeministrit, votuar nga afro 1 milionë shqiptarë, goditet në pavarësinë e vet.”
Rama akuzoi një prokuror dhe një gjyqtare të GJKKO-së se kanë cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv me vendimin për pezullimin e Ballukut.
Kryeministri u përmend gjyqtarëve edhe rrogat: “Po kërkojnë 1600 euro shtesë”
Në vijim të reagimit, Rama akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se po kërkon të marrë kompetencat e qeverisë dhe parlamentit, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të miratojë rritje të re pagash.
“Shoqata po tenton të marrë nga buxheti i shtetit një rritje të re prej 1600 eurosh mbi pagën aktuale. Nuk do të hesht si herën e parë kur u mor ai vendim i turpshëm.”
Sipas tij, kërkesa e përsëritur e gjyqtarëve për rritje pagash me vendim gjykate është “skandaloze” dhe përbën uzurpim kompetencash.
Rama: Jam i hapur për dialog, por drejtësia ka edhe “krimb të brendshëm”
Edhe pse kritik, kryeministri tha se qeveria mbetet e gatshme për dialog me gjyqtarët për forcimin e drejtësisë së re.
“Pavarësia e gjyqësorit duhet mbrojtur, jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme, por edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, që bren përditë besimin e publikut.”
Përplasja mes qeverisë dhe gjyqësorit vjen në kulmin e debatit për vendimin e GJKKO-së që pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila po hetohet për çështjen e “Check-Up”-it dhe të tenderave të tjerë.
