Përgjimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë bërë atë që për vite me radhë dukej e pamundur. Kanë shkatërruar përfundimisht narrativën e armiqësisë mes Sali Berishës dhe Belinda Ballukut, duke zbuluar një realitet ku ministrja më e fuqishme e qeverisë së Edi Ramës tashmë e pandehur nga SPAK dhe lideri de facto i opozitës kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar për interesa financiare, klienteliste dhe politike që jo vetëm i bashkojnë, por i bëjnë pjesë të së njëjtës arkitekturë të pushtetit në Shqipëri. Që nga tenderat me fitues të paracaktuar, te kompanitë që qarkullojnë mes qeverive të majta dhe të djathta, tek koncesionet që kanë nxitur pasurimin e një grupi të caktuar oligarkësh, e deri tek protesta të organizuara në dukje nga opozita, por që në thelb janë ushqyer nga fondet që buronin nga institucionet e kontrolluara nga Balluku, gjithçka tregon se në Shqipëri nuk ka dy fronte politike të ndara, por një sistem të dyfishtë ku aktorët kryesorë bashkëpunojnë për të dobësuar rivalët dhe për të garantuar që pushteti, paratë dhe influenca të mos dalin kurrë jashtë një rrethi të ngushtë.
Tenderat
Pika më e qartë ku zbardhet ky bashkëpunim është tenderi i lotit të katërt të Unazës së Madhe. Tenderi u hap më 16 gusht 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor. Bisedat e zv/kryeministres me vartësit e saj, të zbuluar nga SPAK njëjtë si me tenderin e Tunelit të Llogarasë nga dekriptimi i telefonave, tregojnë se fituesi ka qenë i paracaktuar. Tenderi është fituar nga një bashkim i tre 3 operatorëve, “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk. Oferta e tyre ka qenë sa 95% e fondit limit të tenderit, pra e kanë fituar ndërtimin e lotit të katërt me 19.9 mln euro pa TVSH, ndërkohë që fondi limit ishte rreth 21 mln euro. Kompania Euroteorema rezulton se ka marrë shumë tendera edhe në kohën e qeverisjes së Berishës, kur merrte konsulenca juridike nga Argita Berisha, ndërsa “Nova Construction – 2012” shpk është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj, i lidhur ngushtë me familjen Berisha.
