Përgjimet e kryera nga SPAK në muajt mars dhe prill të vitit 2023 në kuadër të hetimit të kontratës koncesionare të check up-it, e ashtuquajtur “kontroll shëndetësor falas”, zbuluan skemën e dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave duke keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian, në krye të së cilës duket se qëndronte ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe miku i tij, Ermal Kurtulaj.
Në atë kohë Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, detyra e së cilës ishte menaxhimi me efikasitet i fondeve të donatorëve, ndërsa Kurtulaj ishte koordinator i programit ‘EUSAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian. Kur ishte ministër, Beqaj nënshkroi një sërë kontratash koncesionare kontroverse në sektorin e shëndetësisë, dy prej të cilave, ajo e sterilizimit dhe check-up-it janë nën hetim.
Ai i’a doli t’u shmangej përgjegjësisë penale për vite me radhë për këto afera deri në mars 2024, kur SPAK përfundoi hetimet për kontratën e sterilizimit dhe i njoftoi akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, ishte dyshimet për abuzime me fondet e BE-së që do të dërgonin pas hekurave ish-ministrin socialist. Beqaj u arrestua më 4 korrik me kërkesë të SPAK që e akuzon për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë në lidhje me disa procedura prokurimi të kryera nga SASPAC, si dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private në restorantin Gzona, si dhe përdorimin e një automjeti.
Sekuestrimi i një kompjuteri në banesën e të hetuarit Ermal Kurtulaj, i dyshuar si bashkëpunëtor i ngushtë i Beqjas në abuzimin e fondeve të BE-së, u kthye në një ‘thesar’ provash për SPAK, për të vendosur nën akuzë dhe më vonë në pranga ish-ministrin e Shëndetësisë. Sipas SPAK, Beqaj nuk ka deklaruar interesat pasurore në restorantin Gzona, që gjendet në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – zonë historike e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanit dhe kulinarisë.
Aktualisht restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj. Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.
Megjithatë, nga analizimi përgjimeve, provave të administruara në kompjuterin e Kurtulajt në të cilat pasqyrohen bilancet e restorantit Gzona, dëshmive të personave nën hetim dhe atyre të dyshuar se kanë dijeni mbi ngjarjen, të krahasuara dhe më të dhënat bankare e të institucioneve tatimore, duket se një prej pronarëve fundorë të këtij aktiviteti është Ilir Beqaj, ndërsa bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj, shfaqet si ndihmësi i tij jo vetëm në punët e biznesit, por dhe të veprimtarisë politike.
Beqaj dhe Kurtulaj i kanë mohuar akuzat dhe kanë apeluar çështjen. Edhe pse ka ofruar garanci pasurore, Gjykata e Posaçme e Apelit e ka refuzuar kërkesën e ish-ministrit për tu liruar me kusht. Në paraburgim është mbajtur dhe bashkëpunëtori tij I ngushtë, Errmal Kurtulaj. Përfaqësuesi ligjor i Ilir Beqajt, avokati Ermal Yzeiraj, i tha BIRN gjatë një bisede telefonike se në këtë fazë të hetimit ka detyrimin të mos japë qëndrim apo detaje lidhur me rrethanat e çështjes. Megjithatë, ai deklaroi se për të gjitha akuzat e ngritura kanë një përgjigje dhe se “mezi po presin të përballen me prokuroren e çështjes në gjykatë”.
Yzeiraj e cilësoi jo ligjore masën e sigurimit personal “Arrest në burg” të vendosur ndaj Beqajt duke e cilësuar të qëllimshme. Sipas tij, kjo u bë me qëllim për të penguar Beqajn në ‘betejën’ e tij për çështjen e sterilizimit dhe për të dëshmuar në komisionin parlamentar hetimor të ngritur për të hetuar atë dosje. “Është dhe viktimë me qëllim për të krijuar statistika”, tha Yzeiraj dhe nënvizoi se dhe vetë gjykata thotë se ka zero korrupsion.
