Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar në ditën kur përfundon kontrata e koncesionit të sterilizimit, duke e cilësuar atë si një partneritet për progres në shëndetësinë shqiptare.
Në një reagim publik të shpërndarë nga avokati Ermal Yzeiraj, Beqaj mbrojti modelin e partneritetit publik-privat (PPP), duke theksuar se ky shërbim solli transformim në kirurgjinë publike, rriti numrin e ndërhyrjeve dhe uli infeksionet spitalore.
Sipas tij, falë kësaj kontrate në 10 vite u realizuan rreth 575 mijë ndërhyrje kirurgjikale në kushte optimale steriliteti, ndërsa numri i operacioneve u rrit nga rreth 50 mijë në vit në 2013 në 67 mijë në vit në 2025.
Beqaj thekson gjithashtu se kontrata solli furnizimin e spitaleve me më shumë se 100 mijë instrumente kirurgjikale moderne dhe vendosjen në funksion të 10 njësive të reja sterilizimi, përveç centralit në QSUT.
Sipas tij, ulja e infeksioneve spitalore dhe përdorimi i instrumenteve moderne ndikoi edhe në reduktimin e qëndrimit mesatar të pacientëve në spital, nga 6.5 ditë në 4.8 ditë.
Megjithatë, koncesioni i sterilizimit ka qenë një nga marrëveshjet më të debatuara në sistemin shëndetësor shqiptar gjatë viteve të fundit.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hetuar këtë koncesion dhe ka marrë të pandehur disa persona, përfshirë edhe ish-ministrin Beqaj.
Në këtë çështje, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj janë shpallur fajtorë për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”, duke u dënuar secili me 4 vite burg pas gjykimit të shkurtuar.
Ndërkohë, Ilir Beqaj po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme për akuzat “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
