Familjarë, të afërm dhe banorë të fshatit Vidhishtë në Roskovec i kanë dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortëve Arben dhe Belere Plaka, të cilët humbën jetën në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 24 korrik.
Ceremonia mortore u zhvillua në varrezat e fshatit, ku morën pjesë dhjetëra banorë të zonës për të shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin me familjen e viktimave.
Banorë të fshatit i përshkruan çiftin si njerëz të respektuar në komunitet dhe shprehën tronditjen për ngjarjen, duke e cilësuar atë një humbje të rëndë për familjen dhe zonën.
Sipas njoftimeve të Policisë së Shtetit, 35-vjeçari Nertil Buzi dyshohet se qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij, duke u shkaktuar vdekjen, dhe më pas dyshohet se vrau edhe veten. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Sipas raportimeve mediatike, ceremonia mortore për 35-vjeçarin është planifikuar të zhvillohet të dielën, në një kohë të ndryshme nga ajo e viktimave.
Sqarim: Hetimet për këtë ngjarje janë në vijim. Rrethanat dhe përgjegjësitë do të përcaktohen nga organet kompetente në përfundim të procedurave hetimore. Personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
