Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se pas analizës së zgjedhjeve të 11 majit, në parti do të ketë ndarje funksionesh dhe mbajtje përgjegjësie, proces që do të vuloset nga Kongresi Zgjedhor. Ai theksoi se gjithë debati dhe vendimmarrja do të zhvillohen brenda PD-së dhe jo jashtë saj.
Denoncimet për demokratë që punuan për PS
Berisha pranoi se gjatë fushatës janë bërë denoncime për persona të PD-së – madje edhe deputetë dhe drejtues – të cilët kishin marrë pagë nga partia, por në terren punonin për PS-në.
Sipas tij, disa prej tyre janë shpërblyer më pas me poste drejtorësh dhe këshilltarësh në administratën socialiste.
“Ka pasur denoncime se persona të PD po punonin për PS-në. Edhe deputetë që merrnin rrogë nga PD u bënë drejtora në strukturat e narkoshtetit. Ka edhe nga ata që shkuan me pushime gjatë fushatës, apo që punuan hapur për PS-në”, tha Berisha.
Ai nënvizoi se të gjithë do japin llogari dhe se strukturat e PD-së do të përcaktojnë masat ndaj secilit.
“Nuk mund t’i jepja Ramës material për të zbutur raportin e OSBE-ODIHR”
Berisha tha se gjatë zgjedhjeve ka refuzuar të krijojë përçarje publike brenda partisë, sepse çdo konflikt i brendshëm do i shërbente Ramës, duke e përdorur më pas për të zbutur vlerësimin e institucioneve ndërkombëtare.
“Unë nuk mund t’i jepja Ramës material që të thoshte se zgjedhjet ishin të lira. Ne denoncuam farsën elektorale dhe ajo u provua.”
Berisha sulmoi gjithashtu ata që, sipas tij, i kërkonin analizë të menjëhershme gjatë fushatës vetëm për t’i dhënë avantazh qeverisë.
Analiza do të vijë e ndjekur nga Kongresi Zgjedhor
Lidhur me kërkesën për ndarje funksionesh brenda PD-së, Berisha tha se kjo ide është e mbështetur dhe do të realizohet, por vetëm pas analizës së plotë dhe me votën e anëtarësisë:
“Po, ka mendime të qarta se duhet ndarje funksionesh. Kjo do të ndodhë pas analizës dhe Kongresit Zgjedhor. Gjithçka me votë, jo me vendime private.”
Salianji dhe Alimehmeti – çfarë tha Berisha?
Kreu i PD-së deklaroi se nisma e Ervin Salianjit dhe takimet e Ilir Alimehmetit janë pjesë e debatit normal, por analiza nuk do të bëhet “në ekran”, por në çdo strukturë të partisë.
Berisha shtoi se Alimehmeti nuk kishte paraqitur platformë të shkruar në takimin me të, ndërsa shprehu bindjen se edhe ai e pranonte farsën elektorale.
