Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për uljen e çmimit të naftës, duke e konsideruar situatën si emergjente për qytetarët.
Përmes një kërkese zyrtare, opozita kërkon që projektligji të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit. Sipas saj, Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit, ndërkohë që të ardhurat janë ndër më të ulëtat.
Propozimi parashikon vendosjen e një akcize të ndryshueshme, ku TVSH-ja e mbledhur nga rritja e çmimeve do të përdoret për të ulur taksën e naftës. Nëse zbatohet, sipas PD-së, çmimi mund të ulet deri në 180 lekë për litër.
Demokratët theksojnë se rritja e çmimit të karburantit po ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës dhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, ndaj kërkojnë miratimin sa më të shpejtë të këtij projektligji.
