Pas zjarrit te kompleksi “Arlis”/ Albana Koçiu premton bonus qiraje për banorët, vijojnë hetimet për shkaqet

Data

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka vizituar pallatin e djegur në kompleksin “Arlis”, në zonën e njohur si “Farmacia 10” në Tirana, ku është takuar me banorët e prekur nga zjarri i disa ditëve më parë.

Gjatë komunikimit me ta, Koçiu bëri të ditur se qeveria do të marrë masa për strehimin e përkohshëm të familjeve të dëmtuara përmes një bonusi qiraje.

“Do të marrim masa për një bonus qiraje që të akomodohen banorët dhe do të jemi pranë tyre deri në rikthimin e pallatit në gjendjen e mëparshme,” u shpreh ajo.

Pa afate konkrete për rindërtimin

Megjithatë, zv/kryeministrja theksoi se ende nuk mund të jepen afate për përfundimin e punimeve, pasi hetimet për shkaqet e zjarrit nuk janë mbyllur.

Sipas saj, është e nevojshme të përcaktohet përgjegjësia përpara se të vendosen hapat e mëtejshëm, duke shtuar se institucionet nuk kanë neglizhuar situatën.

Ndërkohë, përfaqësues të Agjencia e Zhvillimit të Territorit deklaruan se brenda një muaji pritet të merret leja për nisjen e punimeve, pasi të përfundojë inventarizimi i dëmeve dhe vlerësimi teknik.

Reagimi i kompanisë dhe hetimet

Nga ana tjetër, përfaqësues të kompleksit “Arlis” kanë shprehur gatishmëri për të mbuluar dëmet dhe për të rindërtuar pallatin, duke deklaruar se janë të hapur edhe për marrjen e përgjegjësive ligjore.

Zjarri masiv që përfshiu godinën 12-katëshe dyshohet se nisi nga pakujdesia e disa të miturve, të cilët i vunë flakën disa materialeve pranë një marketi në katin përdhe. Flakët u përhapën me shpejtësi në fasadë, duke shkaktuar dëme të mëdha në apartamente.

Për ngjarjen janë arrestuar katër persona, ndërsa pronari i kompanisë ndërtuese është shpallur në kërkim. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related