Administrata amerikane ka bërë një hap pas lidhur me politikën e re të emigracionit që do t’u kërkonte aplikantëve për kartën e rezidencës së përhershme (“green card”) të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara për të përfunduar procedurat në vendet e tyre të origjinës.
Pas kritikave të shumta nga organizatat për të drejtat e emigrantëve, juristët dhe ligjvënësit demokratë, Department of Homeland Security sqaroi se masa nuk do të zbatohet në mënyrë automatike për të gjithë aplikantët, por do të shqyrtohet “rast pas rasti”.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet amerikane theksuan se udhëzimi i publikuar më 22 maj ishte vetëm një kujtesë për punonjësit e emigracionit që të përdorin diskrecionin e tyre në vlerësimin e rasteve individuale.
“Bëhej fjalë për një kujtesë që stafi të përdorë gjykimin profesional kur vendos nëse një aplikanti duhet apo jo t’i kërkohet të largohet nga SHBA për të dorëzuar dokumentacionin nga jashtë vendit”, thuhet në sqarim.
Vetëm pak ditë më parë, U.S. Citizenship and Immigration Services kishte njoftuar se personat me status të përkohshëm në SHBA – si studentët, turistët apo punëtorët sezonalë – mund të detyroheshin të ktheheshin në vendin e origjinës për të vijuar procedurat për marrjen e kartës së gjelbër.
Kjo masë shkaktoi shqetësim te mijëra emigrantë që jetojnë ligjërisht në SHBA, veçanërisht te bashkëshortët e qytetarëve amerikanë dhe familjet që kanë nisur tashmë procesin e legalizimit të qëndrimit.
Përfaqësuesi demokrat Chuy Garcia e cilësoi politikën si “të paarsyeshme dhe mizore”, duke argumentuar se ajo do të detyronte shumë persona të largoheshin nga familjet, vendet e punës dhe komunitetet e tyre për periudha të gjata kohe.
Sipas të dhënave të publikuara nga media amerikane, SHBA lëshon më shumë se një milion karta rezidence çdo vit, ndërsa mbi gjysma e aplikantëve ndodhen tashmë brenda territorit amerikan gjatë procesit të aplikimit.
Vendimi i fundit i administratës amerikane pritet të qetësojë pasiguritë e krijuara te emigrantët, ndërsa autoritetet vijojnë të shqyrtojnë rastet individuale sipas rregullave ekzistuese të emigracionit.
