Partia e Lirisë ka reaguar sot ndaj situatës në kryeqytet, duke e cilësuar Tiranën si simbol të dështimit moral, politik dhe administrativ të qeverisë. Në një deklaratë publike, kjo forcë politike denoncon skandalin e inceneratorit të Tiranës, të cilin e cilëson si një aferë të hapur korrupsioni.
Sipas Partisë së Lirisë, Tirana është kthyer në një qytet të grabitur, ku qytetarët përballen çdo ditë me trafik të paralizuar, ndotje alarmante, mungesë uji, përmbytje të përsëritura dhe kaos urban të krijuar me qëllim. Ndërkohë, qeveria dhe pushteti lokal, sipas deklaratës, merren me propagandë dhe betonizim për interesa klienteliste.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Artan Distafa, theksoi se prova më flagrante e vjedhjes është inceneratori i Tiranës, i cili sipas tij nuk ekziston, por vazhdon të përthithë rreth 90 mijë euro në ditë nga taksat e qytetarëve. Ai e cilësoi këtë si kulmin e vjedhjes shtetërore, ku paguhet një shërbim fantazmë, ndërsa mbetjet urbane digjen në ajër të hapur.
Partia e Lirisë kërkon ndalimin e menjëhershëm të pagesave për inceneratorin, hetim të plotë dhe përgjegjësi penale për të gjithë zinxhirin politik të përfshirë në këtë aferë. Gjithashtu, ajo bën thirrje për fundin e betonizimit të Tiranës dhe rikthimin e qytetit në shërbim të qytetarëve, jo të klientëve të pushtetit.
Në përfundim, Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve që më 10 shkurt të bashkohen për të dhënë, sipas saj, një përgjigje ndaj korrupsionit qeveritar.
