Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar një rezolutë që kërkon që Millorad Dodik, presidenti prorus i këtij entiteti serb, të mos i përgjigjet thirrjes për paraqitje të lëshuar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës derisa të jetë mirë me shëndet.
Kjo paraqet zbutje të qëndrimit, pasi në tekstin paraprak të rezolutës propozohej që Dodikut t’i kërkohej që të mos i përgjigjej asnjë thirrjeje të gjykatave të Bosnje e Hercegovinës, nga të cilat ai po gjykohet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në këtë shtet.
Kjo ishte një nga 12 konkluzionet që u miratuan nga Parlamenti i Republikës Sërpska pas shqyrtimit të “informacionit mbi kolapsimin e rendit juridik në Bosnje e Hercegovinë lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”.
Dodik, i cili së fundi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Beograd, ishte paraparë të paraqitej para gjykatës më 24 dhjetor, por seanca sipas avokatit të tij është shtyrë për 30 dhjetor.
