Për 5 bashki të Qarkut, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Shkodër SH.A ka paralajmëruar rritjen e çmimit të ujit për konsumatorët, ku kanë shtuar më tej se do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me qytetarët, lidhur me ndryshimin e tarifave.
Këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli ka reaguar me tone të ashpra, duke e cilësuar njoftimin nga Ujësjellës Kanalizime Shkodër, si një metodë, ku sipas saj po përdoret për të rritur të ardhurat të cilat më pas do të shkojnë në xhepat e të pushtetshmëve.
Ajo shton se investimet në ujësjellës janë inekzistente, dhe se konsumatorët nuk janë të pajisura të gjithë me matësit e ujit, dhe uji i pijshëm nuk mbërrin në asnjë prej shtëpive pa qënë të pajisura me pompa uji apo shpime në rastet e banesave private.
Reagimi nga Eliona Kodra Shkreli:
Çmimi I ujit të pijshëm do të rritet…
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Shkodër SH.A paralajmëron rritjen e çmimit të ujit në të gjitha Bashkitë e Qarkut Shkodër. Dhe sa për të zbutur reagimin qytetar, zhvillon dëgjesën publike (13 qershor në ora 11.00 në sallën e mbledhjes të Këshillit Bashkiak) e cila sigurisht që nuk do merret parasysh edhe nëse do kundërshtohet nga të gjithë të pranishmit.
Tashmë banorët e Shkodrës do të përballen në fund të çdo muaji me një tjetër rritje çmimi që do rëndojë akoma më shumën në xhepin ekonomik të familjeve të tyre. Sikurse ka bërë qëkurse ka ardhur në pushtet, Rilindja Socialiste ka rritur taksa e çmime shërbimesh duke thelluar varfërinë e shqiptarëve çka ka bërë që në këto 11 vite më shumë se 700 mijë shqiptarë të detyrohen të largohen nga vëndi i tyre për shkak të këtyre politikave ç’njerëzore të Rilindjes në pushtet.
Në Bashkinë Shkodër investimet në ujësjellës janë inekzistente…
Fshatrat e Njësive Administrative s’kanë ujë as për të pirë e as për të vaditur.
Investimet në ujësjellësa përgjatë këtyre 11 viteve kanë qënë 0 nga kjo qeveri, rrjetet e ujësjellësit janë lënë në mëshirë të fatit.
Familjet e territorit të Bashkisë Shkodër nuk janë të pajisura të gjitha me matësit e ujit, uji i pijshëm nuk mbërrin në asnjë prej shtëpive pa qënë të pajisura me pompa uji apo shpime (në rastet e banesave private). Por pavarësisht shërbimeve 0 që ofron Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime, rritja e çmimit do bëhet sepse kjo është metoda për të rritur të ardhurat të cilat më pas shkojnë në xhepat e të pushtetshmëve që akoma nuk u nginë me paratë e korrupsionit. Në fakt ‘oreksi vjen duke ngrënë’ dhe dëshira për pasurim tej çmendurisë është metoda e pushtetarëve rilindas anipse’ po i ‘marrin frymën’ çdo ditë e më shumë familjeve shqiptare.
Punonjësit e Ujësjellës Kanalizime punojnë pa asnjë kusht sigurie e ndërkohë Ujësjellës-Kanalizime vjel taksat e qytetarëve por nuk i përkthen ato në investime dhe përmbushje të nevojave të konsumatorëve por në luks zyrash dhe pasurim personal të drejtuesve, shefave dhe servilëve të drejtorëve e shefave.
Shkreli e ka mbyllur reagimin e saj me një thirrje drejtuar qytetarëve, ku kërkon që të ngrihen dhe të reagojnë kundër rritjes së çmimit të ujit.
Qytetarët shkodranë duhet të ngrihen dhe të mos lejojnë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, të mos lejojnë që paratë e tyre të pasurojnë pushtetin, të mos lejojnë më talljen që i bëhet parave të mundit e djersës së tyre pa marrë asnjë shërbim pas.
Qytetarë, reagoni sa nuk është vonë sepse litari po ju shtrëngohet çdo ditë e më shumë dhe ikja nga ky vend nuk është kurrë zgjidhje.
