Greqia po vijon planet për zgjerimin e ujërave të saj territoriale, përfshirë edhe zona të mundshme në Detin Egje, pavarësisht kundërshtimeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme nga Turqia. Dy vendet, edhe pse aleatë në NATO, mbeten rivalë historikë dhe përplasen prej dekadash mbi çështjet e kufijve detarë dhe të shelfit kontinental.
Athina ka zgjeruar tashmë ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare, pas marrëveshjeve me Italinë, si dhe ka nënshkruar një marrëveshje për delimitimin detar me Egjiptin në Mesdheun Lindor. Megjithatë, Deti Egje ka mbetur deri tani jashtë këtyre vendimeve, për shkak të kundërshtimit të ashpër të Ankarasë.
Që prej vitit 1995, parlamenti turk ka shpallur një “casus belli”, duke paralajmëruar se zgjerimi i njëanshëm i ujërave territoriale greke në Detin Egje përtej 6 miljeve detare do të konsiderohej shkak për luftë. Nga ana tjetër, Greqia argumenton se ky qëndrim bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare detare dhe se çdo zgjerim është e drejtë sovrane e saj.
Së fundmi, ministri i Jashtëm grek ka deklaruar në parlament se zgjerimi i mëtejshëm i ujërave territoriale është i pritshëm, duke theksuar se Greqia ka vepruar njësoj edhe në raste të tjera dhe do të vijojë të mbrojë interesat e saj kombëtare. Ai nuk ka specifikuar zonat konkrete ku mund të zbatohet ky zgjerim.
Ndërkohë, Turqia nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit, por më herët ka shprehur kundërshtim të fortë, veçanërisht pas shpalljes nga Greqia të parqeve të reja detare në Detin Egje dhe Detin Jon, të cilat Ankaraja i konsideron provokuese.
Pavarësisht uljes së tensioneve në vitet e fundit, çështja e ujërave territoriale mbetet një nga pikat më të ndjeshme në marrëdhëniet greko-turke dhe çdo hap i ri pritet të shoqërohet me reagime të forta diplomatike.
